Grabitet biznesmeni: Kishin dorën e mbarë e nuk më vranë

Shqipëria

Grabitet biznesmeni: Kishin dorën e mbarë e nuk më vranë

Më: 12 shkurt 2017 Në ora: 10:06
Qemal Shabani

Duket se grabitësit kanë filluar fushatën e tyre me grabitjet nëpër biznese të ndryshme. Disa ditë pas grabitjes në Qaf-Kashar dhe një biznesi në kryeqytet, maskat janë kthyer në qytetin e Elbasanit. Katër persona të veshur me uniforma policie dhe me maska kanë hyrë në banesën e shtetasit Qemal Shabani. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30 të së premtes në fshatin Qyrkan të Njësisë Administrative Mollas në Elbasan.

Njëri prej tyre ka mbajtur nën terror rojën e karburantit. Ndërsa tre të tjerët kanë shkuar në banesë dhe me kallashnikov dhe pistoletë kanë dhunuar pronarin Qemal Shabani, 70 vjeç, që të tregojë të hollat. Kur ai ka bërë rezistencë ata e kanë qëlluar me qytën e armëve. Grabitësit kanë marrë kasafortën me gjithçka kishte brenda, lekë, valutë, dokumente, bizhuteri etj. Më pas ata janë zhdukur në errësirën e natës.

Ndërsa, shtetasi Qemal Shabani ka përfunduar në spital me plagë të marrë në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit. Në një intervistë për “Shekullin” ai shprehet se e kishte armën në gjoks dhe shyqyr zotit nuk e vranë.

Si ndodhi ngjarja?

Ishte ora 9:30 e darkës. Pasi hëngrëm darkë, ramë të flemë me bashkëshorten si zakonisht. Ishim të lodhur nga punët e ditës. Mbylla dyert, fika televizorin dhe po flinim. Pas 10 minutash troket dera. Më thanë: Hape jemi policia! Për një moment unë dhe gruaja hezituam dhe u thamë, s’kemi bërë gjë që të vijë policia. Hape më thanë se do ta shkatërrojmë derën.

Hapa derën dhe në dhomë hynë katër vetë të veshur me uniforma policie dhe me maska. Në duar mbanin automatik dhe pistoletë. Njëri më drejtoi armën. Më thanë mos luaj ndryshe të vramë. Unë u përpoqa të marrë armën që kam me leje. Por ata nuk më lejuan. U përlesha me ata. Kapa një vazo dhe i rashë njërit në kokë. Ai ma vuri pistoletën në kokë.

Thashë kaq e pata. Nuk lëviza më. Tani them faleminderit o zot që kishin dorën e mbarë e nuk më vranë. Tre më paralizuan mua, ndërsa i katërti mori kasafortën me gjithë sa kishte brenda. Pastaj ikën me shpejtësi.

Po bashkëshorten e dhunuan? Jo asaj nuk i bënë gjë. Por u tremb shumë. Është shumë e trembur nga kjo histori.

Çfarë kishit në kasafortë? Ishin 3 milionë lekë kishte dhe rreth 200-300 mijë të shkoqura. Ishin 1500 euro. Gjithashtu aty kisha edhe një varëse floriri, unaza floriri, dhe bizhuteri të tjera. Kisha dokumentet e vajzës që punon në Itali, dokumentet e shtëpisë sime, dokumentet e biznesit etj.

Po pastaj çfarë bëtë? Zbrita poshtë. Kishin shkallmuar derën kryesore. Roja më tha se e kishin shtrirë përtokë më duart nga pas që të mos lëvizte.

E kishin dhunuar rojën? Jo, por e kishin detyruar që të shtrihej dhe të mos shihte gjë. As lekët e xhiros nuk ia kishin marrë. Duket që kanë pasur si synim kasafortën në shtëpinë time?

A njohët ndonjërin prej tyre? Jo absolutisht asnjë. Vetëm se njëri që qëllova me vazon në kokë mund të ketë shenjë. Unë e qëllova fort dhe vazoja u thye. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat