INSTAT: Popullsia e Shqipërisë është 2.8 milionë banorë

Shqipëria

INSTAT: Popullsia e Shqipërisë është 2.8 milionë banorë

Më: 13 shkurt 2017 Në ora: 14:13
Tiranë

INSTAT njoftoi sot se “popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2017, rezultoi 2.88 milionë duke pësuar rritje për herë të parë që nga viti 2001. Krahasuar me një vit më parë popullsia u rrit me 1 mijë banorë.

Në 1 Janar 2017, popullsia banuese e Shqipërisë përllogaritet 2.876.591 banorë, krahasuar me 2.875.592 që ishte në 1 Janar 2016. Gjatë vitit 2016, kanë lindur rreth 32 mijë foshnje, ndërsa kanë vdekur rreth 21 mijë persona.

Shtesa natyrore e popullsisë ishte pozitive me rrerth 11 mijë persona.

Nga ana tjetër, migracioni neto ka pësuar një rritje në krahasim me vitin e mëparshëm edhe pse vazhdon të mbetet negativ. Për herë të parë pas vitit 2001, shtesa natyrore tejkaloi migracionin neto, duke rezultuar në një rritje të lehtë të numrit të popullsisë banuese në 1 Janar 2017.”

Krahasimi i dy piramidave të popullsisë 2011-2017, siguron një evidencë të qartë të procesit të moshimit në vend, i cili ka filluar të jetë prezent në zhvillimin demografik të vendit. Një reduktim i bazës së piramidës (ulja e numrit të lindjeve) vihet re nga viti 2010 deri në vitin 2016. Nga ana tjetër rritja e jetëgjatësisë ka bërë më numeroze pjesën që zenë të moshuarit në popullsinë e Shqipërisë, siç duket edhe nga zgjerimi i piramidës në pjesën e sipërme (65+ vjeç). Fig. 2 Piramida e Popullsisë, 2011-2017

Në vitin 2016 raporti i varësisë së të rinjve ka shënuar një rënie në krahasim me vitin 2015, nga 27,3 % në 26,7 %, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve ka pësuar një rritje të lehtë nga 18,4 % në 18,9 % gjatë të njëjtës periudhë. Raporti gjinor në lindje po i afrohet nivelit natyror (105 meshkuj për 100 femra), duke shënuar vlerën 106.9 në vitin 2016, nga 109.5 që ishte në vitin 2015. Raporti gjinor i popullsisë gjithsej ka pësuar një rënie të lehtë, në krahasim me vitin 2015 nga 102.7 në 102.5 meshkuj për 100 femra. Mosha medianë e popullsisë u rrit nga 34 vjeç në 2015 në 35 vjeç në 2016.

Lindjet vazhdojnë të tejkalojnë numrin e vdekjeve, pavarësisht se diferenca midis tyre po ngushtohet me kalimin e viteve, duke zvogëluar shtesën natyrore. Fig.3 Lindjet dhe Vdekjet në Shqipëri, 2001-2016

Migracioni neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve), pësoi një tkurrje si pasojë e uljes së numrit të emigrantëve nga rreth 41 mijë në rreth 33 mijë dhe rritjes së numrit të imigrantëve nga rreth 21 mijë në rreth 23 mijë gjatë 2015-2016.

Në 1 Janar 2017, Tirana zë rreth 30 % të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, duke u ndjekur më pas nga Fieri (11 %), Durrësi (10 %) dhe Elbasani (10 %). Sa i përket qarqeve të tjerë, pesë prej tyre zënë 2 % deri 5 % të popullsisë gjithsej. Fig. 5 Përpjesa që zë popullsia e secilit qark në popullsinë gjithsej, 1 Janar 2017'.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat