Aksidentohet avokati i Balilit

Shqipëria

Aksidentohet avokati i Balilit

Më: 15 shkurt 2017 Në ora: 09:09
Avokati mbrojtës i Klemend Balilit, juristi i shquar grek Aleksis Kujas

Avokati mbrojtës i Klemend Balilit, juristi i shquar grek Aleksis Kujas ka pësuar një aksident automobilistik mesnatën e kaluar.

Duke u kthyer nga Selaniku për në Athinë, në një përpjekje për të parakaluar një automjet para tij, ai ka humbur kontrollin e makinës që drejtonte në një kthesë pranë Ylikis, rreth 70 km nga Athina, si dhe është përplasur me pjesën e pasme të një kamioni.

Për fat të mirë, Kujas ka dalë nga makina thuajse i palënduar dhe ka shkuar vet në spital për një kontroll paraprak.

Disa orë pas aksidentit, ai ka deklaruar para gazetarëve se për pak sa nuk pa vdekjen me sy, por tani ishte shumë mirë. Vlen për t’u përmendur se për aksidentin e ndodhur nuk ka pasur një raport zyrtar të publikuar të Policisë së Qarkullimit Rrugor.

Përveçse një jurist i njohur, sidomos në çështjes e drogës apo të disa prej krimeve më të rënda në Greqi, me klientelë edhe nga bota shqiptare e krimit, Aleksis Kujas ka një aktivitet edhe në fushën e futbollit, si president i disa ekipeve të Greqisë apo në bordin drejtues të tyre, e shpeshherë ka qenë protagonist i konfrontimeve me kundërshtarët e tij nga klubet e tjera.

Për sa i përket çështjes së të ashtuquajturit “Eskobar i Ballkanit”, dy ditë më parë i pyetur për zërat që thoshin se Klemend Balili do të dorëzohej vet tek organet greke, Kujas ka theksuar edhe njëherë se nuk ka pasur asnjë njoftim nga klienti i tij për këtë veprim dhe se tani për tani nuk ka asgjë të vërtetë për dorëzimin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat