Berisha reagon për arrestimin e grabitësve të parave të bankës

Shqipëria

Berisha reagon për arrestimin e grabitësve të parave të bankës

Më: 15 shkurt 2017 Në ora: 13:32
Ish-kryeministri Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas operacionit të djeshëm të policisë për arrestimin e disa prej grabitësve të parave të bankës, që transportoheshin drejt Rinasit. Ai i cilëson këto arrestime të ngjashme me ato të Julian Sinanajt, Gjutajve e Brukajve, të cilët më pas dolën të lirë.

Komenti i Berishës:

“E prita me kënaqësi të veçantë lajmin e gjetjes së plaçkitësve të Qafë-Kasharit. Por duke ndjekur me interes lajmet dhe debatet në studiot e policisë për super, superaksionin dhe arrestimet e hajnave të parave të bankës dy ditë më parë në Qafë-Kashar, më duhet të konstatoj se kjo është një histori simotër me atë të Julian Sinanit apo Gjutajve dhe Brukajve.

Duke thënë këtë, unë duhet të garantoj policët e guximshëm dhe të ndershëm se vlerësoj shumë çdo operacion të suksesshëm të policisë dhe jam i vetëdijshëm se me shkallën e lartë të inkriminimit nga çunat e krimit që ka futur në polici Saje qorri, operacionet e policisë së shtetit sot janë dy herë më të rrezikuara dhe dy herë më të vështira! Por natyrisht denoncoj farsën e djeshme për arsyet që vijojnë:

Së pari, hajnat i kapën, por paratë nuk u gjetën, ose asnjë nga kartmonedhat e gjetura nuk janë të procesverbaleve të bankave. Varianti se nuk është kapur njëri anëtar i bandës, sepse ka ikur jo në drejtim të paditur, por jashtë shteti fare, tregon se paratë i vodhi banda e qeverisë dhe se ato na duhen për zgjedhje.

Së dyti, nga dhjetëra fytyra që pamë dje në TV, asnjëra nuk plotëson më shumë tiparet e hajdutit se sa ajo e Saje qorrit.

Së treti, në debatin televiziv në “Opinion” më duhet të them se zhurma e tejmadhe më krijoi përshtypjen se ishte në funksion të plotë të bllofit të radhës, mungesës së transparencës për të mos thënë prova bindëse, të mbuluara me sekretin që kryepolici i Tiranës nuk e lëshonte nga goja.

Së katërti, flitej herë për një vjedhje, herë për dy vjedhje dhe një herë për 5 banditë, pastaj për 6, herë të tjera për bashkëpunëtorë të bandës në mbarë vendin, madje dhe se në operacion, në të cilin ishte angazhuar e tërë policia e shtetit, pra trupa prej 10.000 policësh.

Së pesti, asnjë provë nuk u dha se numri serial i kartmonedhave të gjetura korrespondonte me atë të kartmonedhave të nisura nga banka.

Së gjashti, pamjet filmike të operacionit ishin qartësisht montime ditën për diell për t’iu shitur mediave.

Së shtati, përsëri na doli Kupa në skenë dhe Banda e Babagjyshëve që i bëjnë dhurata Saje qorrit sa herë ai dëshpërohet. Fakti që Kupën e arrestojnë dhe lirojnë, të duket sikur e marrin me qera për akuza që kanë nevojë.

Së teti, në debat nuk kuptohej kush ishte polici dhe kush ishin gazetarët, të cilët në vend që të shtronin pyejtje për groteskun e operacionit, ishin në garë me policin për informacione të servirura “konfidencialisht” po nga polici tjetër.

Së nënti, gjetja mbrëmë e parave në tenxheren e fasuleve në Vlore dhe jo ne qypin e mjaltës, ishte si të thuash qershia mbi tortë dhe,

Së dhjeti, kurorën kësaj butaforie ja vuri vet kryebanditi, kryegjykatësi, kryeprokurori i vendit me slloganin që ai e përdor gjithnjë pas çdo suksesi imagjinar: “Rama le të lehë, po qentë t’i shkojne përmbrapa”.

Të gjitha këto më kujtuan Julian Sinanin super, super terroristin që u arrestua në epideminë e tritolit, sepse sipas Saje qorrit kishte ekzekutuar, jo 5 apo 10 apo 15 apo 20, por fiks 27 vetë në 27 atentate me tritol në Shqipëri, Greqi dhe vende të tjera. Pra Sinani u shpall superkilleri të paktën i Ballkanit dhe më në fund doli se as Karçini, kushëriri i Saje qorrit nuk kishte porositur kurrë eleminimin e Piro Bares!

Kjo histori të kujton gjithashtu 13 arrestimet e Gjutajve dhe Brukajve për katër tritolet e vendosura në një natë në Tirane tek farmacia, shtëpia e Bashkim kontrabandistit etj, dhe që nuk kishin asnjë lidhje me to, sepse tritolët ishin vendosur nga banda e Shullazit, me porosi të vet Saje qorrit.

Faji i vetëm i të arrestuarve ishte se njëri prej tyre kishte zhdëpur në dru Saje qorrin para zgjedhjeve për sjelljen e tij prej rrugaçi ordiner.

Si përfundim të dashur miq, hajnat janë kapur, por paratë nuk janë gjetur, ato i duhen Ramës për fushatë!

I bëj thirrje prokurorisë të hetojë me integritet dhe përgjegjësi të lartë autorët e kësaj që duket si një farsë e neveritshme!”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat