Kodheli në takimin e NATO-s për forcimin e mbrojtjes kolektive

Shqipëria

Kodheli në takimin e NATO-s për forcimin e mbrojtjes kolektive

Më: 15 shkurt 2017 Në ora: 19:38
Ministeriali i Mbrojtjes të NATO

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli po merr pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes të NATO-s, që po zhvillohet në selinë e NATO-s, në Bruksel, gjatë ditës së sotme dhe të nesërme. Në ditën e parë të takimit, ministrat morën vendime mbi forcimin e mbrojtjes kolektive të Aleancës.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, më sesionet e para, ministrat patën një shkëmbim mendimesh në nivel politik dhe strategjik mbi prioritetet që Aleanca duhet të avancojë. Në këtë kuptim, aleatët u fokusuan në elementët e frenimit të rreziqeve dhe mbrojtjen (Deterrence and Defense), veçanërisht duke trajtuar situatën komplekse në kufijtë jugorë të NATO-s. Gjithashtu, diskutime pati dhe mbi burimet e mbrojtjes dhe zhvillimin e kapaciteteve që i nevojiten Aleancës në mjedisin e krijuar të sigurisë.

Në ndërhyrjet e saj, znj. Kodheli nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar të materializojë angazhimet e marra, për një përqasje gjithëpërfshirëse të NATO-s mbi mbrojtjen e aleatëve. Ministrja e Mbrojtjes theksoi se Shqipëria i jep një rëndësi të veçantë dhe mirëpret diskutimin mbi rreziqet dhe sfidat që burojnë nga jugu Aleancës.

Duke vijuar, ajo u ndal në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Znj. Kodheli kërkoi që Aleanca mos ta harrojë këtë rajon, i cili ka nevojë për mbështetje në vijimin e reformave të gjithanshme, duke përfshirë dhe ato në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, janë një tregues i brishtësisë së rajonit. Gjithashtu, sipas saj, kjo gjendje po krijohet dhe nga lëvizjet dhe retorika provokuese e Serbisë, si dhe roli destruktiv i aktorëve të tjerë të jashtëm në rajon.

Në këtë prizëm, ajo kërkoi që NATO të vijojë të mbetet e angazhuar në Ballkanin Perëndimor, duke dërguar mesazhe të qarta dhe siguruese për mbajtjen e paqes dhe sigurisë. Misioni KFOR, si një histori suksesi, nuk mund dhe duhet të vendoset në udhëkryq, si rrjedhojë e kësaj situate.

Ndaj nevojitet një fokus i dedikuar që ky mision të vijojë të mbetet shtylla e sigurisë për stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës. Gjithashtu, ministrja e Mbrojtjes kërkoi më shumë mesazhe të qarta për Serbinë, si vend partner i NATO-s dhe inkurajoi më shumë bashkëpunim të Aleancës me BE-në, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve.

Gjithashtu, gjatë ditës së sotme, Ministrja e Mbrojtjes mori pjesë dhe në takimin e organizuar nga Kanadaja, me vendet pjesëmarrëse në forcën e përparuar të NATO-s, në Letoni, ku vendi ynë do marrë pjesë me personel ushtarak.

Në ditën e dytë të Ministerialit të NATO-s, ministrat e Mbrojtjes pritet të diskutojnë mbi disa elementë të tjerë, në përmbushje të mbrojtjes dhe frenimit të rreziqeve, siç është rishikimi i strukturës komanduese të NATO-s, implementimi i masave në kuadër të Planit të Gatishmërisë për Veprim, Forcës së Përparuar të NATO-s, mbrojtja kibernetike, etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat