Gaçi: Lë mandatin jo për 200, por edhe për 20 euro gjobë

Shqipëria

Gaçi: Lë mandatin jo për 200, por edhe për 20 euro gjobë

Më: 16 shkurt 2017 Në ora: 13:35
Deputeti i PS-së, Artan Gaçi

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i PS-së, Artan Gaçi ka folur për herë të parë publikisht pas lajmit se ai është mes 9 zyrtarëve që po hetohen nga prokuroria në kuadër të dekriminalizmit. Gaçi hodhi poshtë pretendimet e prokurorisë, ndërsa shtoi se ai nuk ka shkelur kurrë ligjin, duke shtuar se ishte suprizuar.

Me një fjalim kur shfaqte shenja tensioni dhe emocione, Gaçi shpjegon më tej se nuk kujton asnjë gabim të tijin që nga viti 1990. Ai ndër të tjera theksoi se ka hyrë disa herë dhe ka dalë në Itali për shumë vite, por dhe në shumë vende të tjera të BE, ndërsa shtoi se nuk e kishin ndaluar asnjëherë.

“U trondita kur prokuroria nisi hetimet dhe për mua. Gjithmonë mendoj se s’ka lidhje me shkeljen e ligjit. Fillova të shkoj në retrospektivë. Nuk kam qenë asnjëherë tip konformisti, kam zgjedhur rrugën ndryshe nga ajo që zgjidhnin të gjithë. Mos vallë ka të bëjë me reagimin tim në atë kohë në sistemin komunist. Ruaja vetëm ‘Permeson’ për të siguruar lëvizjen. Dokumentet e tjerë i dorëzova vullnetarisht. Edhe në atë periudhë kam hyrë dhe kam dalë i pajisur në mënyrë permanente. Që nga viti 1990 e deri më sot dhe të lëvizjeve të përmuajshme. Unë mund të kem qenë një nga njerëzit më shumë të kontrolluar. Filtrat e BE nuk mund të dështonin dhe janë më të mira ato të prokurorisë.”, tha Gaçi.

“Nuk kam jetuar as në Tropojë, as në Gramsh dhe as në Skrapar. Por gjithë aktiviteti im është zhvilluar përgjatë bulevardit të Tiranës dhe ka qenë i prekshëm. Teksa hyja sot në seancë, një nga gazetarët tha se prokuroria dyshon se mund të kem marrë një gjobë 200 euro, 20 vjet më parë.

Nuk ka asnjë dënim për çfarë parashikon ligji i dekriminalizmit. Ndaj Artan Gaçit asnjë gjobë në asnjë vend të Europës. Dëmi moral shumë i madh, që të jetë thjesht një lajthitje. Kam hyrë i ndershëm në politikë me shumë biznese dhe vazhdoj me shumë më pak biznese. Po kontribuoj me lekët e mia për të promovuar të rinjtë.

Shtetin nuk e kam pasur kurrë krahë. Përfshirja ime në atë listë, dashakeqe dhe më së shumti politike. Si kurrë më parë në historinë e këtij vendi reforma në drejtësi po afron. Do fillojë me drejtësinë e do mbarojë me politikën.

Unë mandatin e deputetit nuk e dua as për të bërë lekë me tendera. Jashtë këtij profesioni di të bëj shumë gjëra të tjera. Shpresoj shumë që reforma në drejtësi të bëhet qoftë edhe duke filluar nga unë i pari. Nëse prokuroria ka edhe një provë të vetme ku të figurojë që unë kam një gjobë qoftë edhe 20 euro nuk ka nevojë të shkojë në KQZ unë e lë vetë mandatin. Me këtë qëllim i bëj thirrje prokurorisë ta shkëpusë emrin tim nga lista dhe të bëjë verifikimin nga unë i pari”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat