Ja fshehja e vendimit që rrezikon heqjen e mandatit të Artan Gaçes

Shqipëria

Ja fshehja e vendimit që rrezikon heqjen e mandatit të Artan Gaçes

Më: 16 shkurt 2017 Në ora: 15:00
Artan Gace

Formulari i Dekriminalizimit vazhdon të mbetet “thembra e Akilit” për shumë deputetë apo të zgjedhur lokalë që kanë gabuar apo “harruar” të vetëdeklarojnë problematikat e tyre lidhur me pastërtinë e figurës. 

Kjo duket të ketë ndodhur dhe me deputetin e PS Artan Gace, emri i të cilit u përfol disa ditë më parë për mosdeklarim të një procesi gjyqësor ndaj tij që nuk ishte i deklaruar në formularin e parë që ai ka dorëzuar .

Sot deputeti Gace ka deklaruar në parlament se “nuk ka asnjë dënim dhe asnjë gjobë në asnjë vend të Europës. Kam hyrë i ndershëm dhe kontribuoj me lekët e miapër të promovuar të rinjtë”, ka thënë ai duke shtuar se emri i tij në listën e “fajtorëve” është për arsye politike dhe se është i gatshëm të lerë mandatin nëse prokuroria ka një provë të vetme.

Në fakt, Opinion.al disponon një dokument sipas të cilit, deputeti Gace ka qenë pjesë e nje procesi gjyqësor në gjykatën e Durrësit në vitet 2006-2007 me akuzën e kontrabandës. Dënimi i dhënë ka qenë gjobë me 200.000 lek.

Në vijim të proceseve gjyqësore, siç dhe vërehet në dokument ai është shpallur i pafajshëm dhe automatikisht gjoba ndaj tij nuk është e vlefshme.

Por, burime nga prokuroria thanë për opinion.al që në formularin e parë që ka dorëzuar deputeti socialist çështja gjyqësore në ngarkim të tij nuk është përfshirë. Çka sipas ligjit, parashikon hetim për falsifikim dokumentacioni.

Njëkohësisht në një formular të dytë, për të cilin prokuroria pretendon se është dorëzuar jashtë afateve ligjore në KQZ, zoti Gace ka shtuar vendimin që shihet dhe në dokumentin e publikuar nga Opinion.

Lidhur me formularin e dekriminalizimit dhe rolin e KQZ, jo më larg se sot Prokuroria e Përgjithshme ka nisur ndjekjen penale ndaj KQZ me akuzën e shpërdorimit të detyrës pasi dyshohet se ndër të tjera, ky institucion ka pranuar formularë përtej afateve të përcaktuara nga ligji për të paktën dy kryetarë bashkie dhe një deputet.

Ndërsa për ‘deputetin’, duket qartë se bëhet fjalë për zotin Gace, nuk dihet ende se kush janë 2 kryetarët e bashkive që kanë që kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit jashtë afateve ligjore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat