Meta nga Vjena: Reforma kushtetuese historike, nëse zbatohet si duhet

Shqipëria

Meta nga Vjena: Reforma kushtetuese historike, nëse zbatohet si duhet

Më: 16 shkurt 2017 Në ora: 16:15
Ilir Meta

Bashkimi Europian nuk duhet ta shohë Ballkanin si një lagje, por si një rajon të integruar jugor. Deklarata është bërë në Vjenë nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili garantoi se Shqipëria po ecen përpara në mënyrë të qendrueshme në rrugetimin drejt BE. Ai vlerësoi rolin e reformës historike në drejtësi për forcimin e shtetit të së drejtës dhe krijimin e një sistemi transparent.

BE-ja nuk duhet ta shohë Ballkanin si një lagje, por si një rajon të integruar jugor.

Kështu u shpreh në Vjenë Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në konferencën me temë “Brexit, BE, SHBA dhe roli i Shqipërisë për stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, duke shtuar se ky rajon duhet të veprojë si një familje më e koordinuar, ndërsa garantoi se Shqipëria po ecen përpara në mënyrë të qendrueshme në rrugetimin drejt BE.

Meta: “Mund t’ju siguroj se përsa i takon Shqipërisë, ne po bëjmë pjesën tonë për të rritur standardet e qeverisjes dhe ti tregojmë rezultate konkrete miqve dhe partnerëve tanë europianë. Siç mund ta dini, Shqipëria po ecën përpara në mënyrë të qëndrueshme në rrugëtimin e saj drejt Integrimit Europian, pavarësisht sfidave të saja dhe lodhjes nga zgjerimi me të cilën po përballet BE-ja.”

Duke risjellë në vemendje rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, me kusht zbatimin e reformës në drejtësi, Meta shpreh bindjen në organizimin dhe zbatimin e kësaj reforme.

Meta: “Kjo reformë kushtetuese historike, nëse zbatohet siç duhet, do të forcojë shtetin e së drejtës, do të krijojë një sistem drejtësie më të paanshëm, do të na detyrojë ne politikanëve që të tregojmë më shumë transparencë në mënyrën se si qeverisim dhe do të krijojë llogaridhënie të plotë në jetën publike, gjë që është shumë e nevojshme”.

Duke u ndalur edhe tek Kosova, Meta theksoi se Shqipëria do të vazhdojë lobojë për më shumë njohje ndërkombëtare të pavarësisë dhe shtyrjen përpara të axhendës së integrimit të saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat