Greqi, emigrantët shqiptar: Plotësoni kërkesat, ndryshe do protestojmë në Tiranë

Shqipëria

Greqi, emigrantët shqiptar: Plotësoni kërkesat, ndryshe do protestojmë në Tiranë

Më: 17 shkurt 2017 Në ora: 16:42
Foto ilustrim

Një letër i është dërguar sot kryeministrit, presidentit dhe kreut të Kuvendit të Shqipërisë nga një grup emigrantësh përmes ambasadës sonë në Athinë.

Ata janë pritur dhe kanë biseduar edhe nga ambasadori shqiptar Dashnor Dervishi, i cili i ka quajtur kërkesat e tyre të drejta. Letra është protokolluar nga sekretarja e ambasadës me nr.225 datë 15/02/2017.

Emigrantët shqiptarë në Greqi shprehen të indinjuar nga mosplotësimi i kërkesave nga indiferentizmi i mosinteresimi i qeverisë shqiptare për problemet e tyre, raporton "Focus News".

Në mbyllje të kërkesave të tyre, emigrantët kërkojnë që peticioni t’u përcillet dikastereve përkatëse të qeverisë Shqiptare, dhe njëkohësisht të shqyrtohen dhe të zgjidhen deri më 20 mars të 2017.

Ata theksojnë vendosmërinë e tyre në kërkim të zgjidhjeve përfundimtare, deri në protesta masive e të vazhdueshme para ambasadës sonë në Athinë, si dhe në mosplotësimin e kërkesave do të zbresin në Tiranë para Parlamentit shqiptar dhe Kryeministrisë.

Letra:

LETËR

DREJTUAR AMABASADËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË GREQI

DHE NËPËRMJET SAJ:

Presidentit të Republikës z. Bujar Nishani

Kryeministrit z. Edi Rama

Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta

Zoti AMBASADOR!

Ne një grup emigrantësh shqiptarë në Greqi, të indinjuar nga mosplotësimi i kërkesave tona të herë pas herëshme dhe nga indiferentizmi e mosinteresimi i qeverisë qhqipare për problemet tona, ju drejtohemi edhe njëherë juve dhe, nëpërmjet jush, vetë qeverisë, me këto kërkesa kryesore, në mes mjaft të tjerave, për shqetësimet tona të pazgjidhura:. 

Familjeve shqiptare, që paguan ndryshimin e pasaportave të fëmijëve të tyre për shkak të shkruarjes gabim të vëndeve të lindjes në Greqi nga punonjësit shqiptarë të shërbimit të paisjes me pasaporta, t’u kthehen lekët e paguara për fajet e të tjerëve.

Lidhur me këtë, kërkojmë edhe që çmimi i nxjerrjes së pasaportës në Ambasadë të jetë i njëllojtë me çmimin e nxjerrjes së pasaportës në Atdhe dhe jo si tani gati trefish më i shtrenjtë se atje.

Tarifat e shërbimeve konsullore në Ambasadën Shqiptare në Greqi për emigrantët shqiptarë, të mbetur papunë e pa përkrahje dhe që përballen me vështirësi të mëdha ekonomike si rezultat i krizës greke, janë shumë të larta dhe të pamundura të përballohen nga emigrantët. Kërkojmë uljen e tarifave të veprimeve konsullore në masën 90% të vlerës që janë tani.

Ne emigrantët shqiptarë në Greqi kërkojmë vendosmërisht që të marrim pjesë në votimet e qershorit 2017, duke votuar në mënyrë elektronike në vëndet ku punojmë e jetojmë. Për këtë, Qeveria Shqiptare të mundësojë marrëveshje me Qeverinë Greke dhe përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Greqi, për të realizuar regjistrimin e njerëzve dhe infrastrukturën e nevojshme teknike elektronike të zgjedhjeve.

Ne emigrantët të mundësohemi të marrim pjesë aktive në jetën politike të vendit, ku të na jepet e drejta jo vetëm të zgjedhim, por edhe të zgjidhemi në të gjitha institucionet si përfaqësues të qindra mijë emigrantëve shqiptarë në Greqi.

Kërkojmë inerpelancë me Qeverinë në Parlamentin Shqiptar.

Duke parë vështirësitë e mëdha dhe të pakapërxyeshme që hasim vazhdimisht në proçesin e kërkimit dhe mbrojtjes së të drejtave tona si emigrantë në shtetin grek, kërkojmë që në Ambasadë të vendoset një përfaqësues ligjor (jurist), për të na mbrojtur dhe përfaqësuar në proçeset tona të përballjes me drejtësinë dhe shtetin grek.

Ju lutemi, kërkesat tona jo vetëm të përcillen në dikasteret përkatëse të Qeverisë Shqiptare, por edhe të shqyrtohen dhe zgjidhen ato në një periudhë kohore sa më të shpejtë dhe deri në 20 mars të 2017 të kemi përgjigjen dhe zgjidhjen e tyre. Ju konfirmojmë vendosmërinë tonë në kërkim të zgjidhjeve përfundimtare, deri edhe me protesta masive e të vazhdueshme, në rast vazhdimësie të indiferentizmit dhe mosplotësimit të kërkesave tona, gjithashtu do të protestojme para Parlamentit shqiptar dhe Kryeministrisë

Me konsideratë të lartë dhe në pritje të zgjidhjes së kërkesave që ju parashtruam

NJË GRUP EMIGRANTËSH SHQIPTARË NË GREQI

Athinë, 15 shkurt 2017

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat