Meta mbledh Komitetin Drejtues të LSI: Me rëndësi standardi i zgjedhjeve të 18 qershorit

Shqipëria

Meta mbledh Komitetin Drejtues të LSI: Me rëndësi standardi i zgjedhjeve të 18 qershorit

Më: 17 shkurt 2017 Në ora: 17:00
Kryetari i Kuvendit, njëherësh edhe kryetari i LSI, Ilir Meta

(E plotësuar) -  Kryeparlamentari, njëkohësisht kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ritheksoi edhe një herë këtë të premte rëndësinë e vijimit të reformave për integrimin e vendit.

“Mbyllim një cikël të rëndësishëm të riorganizimit dhe hyjmë në një cikël tjetër të zhvillimit të LSI, në prag edhe të zgjedhjeve të qershorit që po afrojnë. Javën e ardhshme do të konstituohen edhe komisionet sipas fushave përkatëse. I ftoj të gjithë që kanë dëshirë të kontribuojnë të bëhen pjesë e këtyre komisioneve dhe debateve”, tha në fillim të fjalës së tij Lideri i LSI.

Gjatë mbledhjes për Komitetit Drejtues të LSI, Tiranë, Meta tha se ndërkohë që nisin përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit nuk duhet të shpërqëndrohemi nga angazhimi ynë për të mos humbur fokusin nga reformat më të domosdoshme që ka vendi.

Në fjalën e tij, Meta kërkoi vazhdimin në mënyrë transparente të zbatimit të reformës në drejtësi, pasi siç theksoi ai, është edhe një kërkesë dhe një kusht për hapjen e negociatave dhe anëtarësimin e në të ardhmen. “Ndërkohë që përgatitjet për 18 qershorin, nuk duhet të na shpërqendrojnë nga angazhimi ynë për të mos humbur fokusin në disa nga reformat më të rëndësishme që ka vendi, siç është edhe vijimi i zbatimit në mënyrë sa më transparente i reformës në drejtësi. Ky është edhe një kusht për hapjen e negociatave për anëtarësim në të ardhmen. Të vijohet me zbatimin e dekriminalizimit që është me rëndësi për zgjedhjet e ardhshme”, apeloi kryeparlamentari Meta.

Por, vijoi Meta, edhe për klimën politike parazgjedhore, që të jetë sa më konstruktive, sepse u shpreh kreu i LSI-së, vëmë re se nuk mungojnë përpjekjet për të tensionuar artificialisht situatën paraelektorale.

Meta, po ashtu kërkoi përfundimin sa më shpejt të reformës zgjedhore , e cila tha ai duhet të kishte përfunduar me kohë duke reflektuar rekomanduar e OSBE/ODHIR-it.

“Në të gjitha këto aspekte dua të shpreh edhe një herë angazhimin tonë si LSI, për të gjeneruar gjithnjë një klimë sa më konstruktive e sa më racionale, që ndihmon ecurinë e suksesshme të këtyre reformave, që do të kenë një impakt afatgjatë për të ardhmen e vendit e stabilitetin e tij, funksionimin e institucioneve dhe integrimin europian”, deklaroi Meta.

Ai shprehu gjithashtu vendosmërinë e forcës politike që drejton, për t’i shërbyer në radhë të parë standardit më të lartë të zgjedhjeve të 18 qershorit, sepse siç theksoi Meta, rezultati i këtij standardi për vendin është më i rëndësishëm se rezultati i çdo force politike të caktuar.

Duke u ndalur në zgjedhjet e Komitetit Drejtues të LSI, Tiranë, Meta shprehu besimin e tij se kjo degë do të jetë në krye të rezultatit, jo vetëm të zgjedhjeve të 18 qershorit, por edhe të të gjithë perfomancës së LSI në të gjithë vendin, si shembulli i një force të emancipuar e të përgjegjshme që vë interesin e vendit dhe të qytetarëve dhe interesin kombëtar e publik mbi çdo interes tjetër afatshkurtër apo të ngushtë.

Në nisje të këtij takimi kryetari i LSI, Meta përcolli një mesazh urimi për popullin e Kosovës në 9 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, ndërsa kujtoi kontributin e disa nga figurave më të ndritura për arritjen e kësaj pavarësie, si vizionari i Kosovës, Ibrahim Rugova apo komandanti legjendar, Adem Jashari.

Meta: Po krijohen qëllimisht tensione politike para zgjedhjeve

Kryetari i Kuvendit, njëherësh edhe kryetari i LSI, Ilir Meta ka thënë se me afrimin e datës së zgjedhjeve të 18 qershorit, faktorë të ndryshëm po krijojnë tensione politike.

Duke folur në komitetin drejtues të LSI-së për qytetin e Tiranës, Meta theksoi se është e rëndësishme që të mos hiqet fokusi nga avancimi i reformës në drejtësi.

“Përgatitjet për zgjedhje nuk duhet të na shpërqëndrojnë për të mos humbur vëmendjen nga reformat, siç është avancimi për reformën në drejtësi. Nuk mungojnë përpjekjet për të tensionuar artificialisht fushatën paraelektorale”, u shpreh kryeparlamentari.

Kujtojmë se ditët e fundit pa patur kritika mes PS dhe LSI për zbatimin e reformës në drejtësi. Fatmir Xhafaj i PS ka kritikuar shortin për përzgjedhjen e kandidaturave të gjyqtarëve për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Këto kritika u hodhën poshtë sot nga KLD.

Gjatë fjalës së tij Meta foli edhe për reformën zgjedhore dhe dekriminalizimin.

“Ndërkohë, reforma zgjedhore duhet të kishte përfunduar me kohë si dhe të vazhdojë procesi i dekriminalizimit. Në këto aspekte dua të shpreh angazhimin tonë si LSI për të gjeneruar një klimë sa më konstruktive dhe racionale”, u shpreh Ilir Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat