Bushati: Të zyrtarizohet gjuha shqipe në Maqedonia

Shqipëria

Bushati: Të zyrtarizohet gjuha shqipe në Maqedonia

Më: 18 shkurt 2017 Në ora: 09:57
Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka deklaruar dje se shqiptarët në Maqedoni, si një popullsi shtet-formuese janë qartazi faktor përcaktues për stabilitetin demokratik dhe ardhmërinë euro-atlantike të Maqedonisë, raporton AA.

Deklarata e shefit të diplomacisë së Shqipërisë ka ardhur gjatë një fjalimi të mbajtur në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, në kuadër të një leksioni të hapur. Në fjalën e tij ministri Bushati duke folur për gjendjen në Evropë tha se ajo sot ngjan e absorbuar me vetveten, me trajtimin e krizave të shumëfishta që e kanë zaptuar.

“Kriza e tejzgjatur në Maqedoni, ngjarjet shqetësuese të muajve të fundit në raportet Kosovë-Serbi shoqëruar me mungesën e rezultateve të prekshme në procesin e dialogut, stanjacioni në Bosnjë e Hercegovinë, ndërhyrja e aktorëve të tretë në zhvillimet e brendshme politike në Malin e Zi, janë disa tregues të vëmendjes së munguar dhe forcës së dobësuar të BE-së pikërisht në oborrin e saj”, tha Bushati, transmeton Gazeta Express. 

Diplomati Bushati nuk la pa e prekur as temën më të nxeht të këtyre ditëve në Maqedoni, përdorimin dhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe.

"Popullsia shqiptare shtet-formuese në Maqedoni, disa herë më e madhe në përqindje e shifra absolute, prej një dekade kërkon mirëkuptim për shpalljen e shqipes si gjuhë zyrtare. Qoftë edhe vetëm në këtë aspekt, një ndër shumë, kontrasti nuk mund të jetë më flagrant, më jashtë kohës” shtoi Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati.
Ai ka theksuar se për këtë arsye kanë inkurajuar faktorin shqiptar kudo që jeton, përfshirë në Maqedoni, për të luajtur rol konstruktiv dhe për të marrë pjesë aktivisht në institucionet respektive, duke e parë atë element thelbësor në adresimin e shqetësimeve të tyre në rrugë institucionale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat