"Shpërthen" gazetari: Policia e Durrësit kalon kamionët me kanabis drejt Italisë

Shqipëria

"Shpërthen" gazetari: Policia e Durrësit kalon kamionët me kanabis drejt Italisë

Më: 19 shkurt 2017 Në ora: 14:05

Gazetari i kronikës, Flamur Vezaj ka hedhur akuza të forta ditën e sotme ndaj Policisë së Shtetit, lidhur me trafikun drogës.

Përmes një statusi në Facebook, Vezaj akuzon policinë e Durrësit, se po e lejon vetë trafikimin e lëndëve narkotike drejt Itaklisë kryesisht.

Sipas gazetarit, kjo lidhet edhe me kapjen sot të 10 ton kanabis në Ankona të Italisë, sasi kjo që vinte nga Shqipëria. Dhe për Vezaj, është e pashpjegueshme se si 10 ton kanabis kalojnë nën hundën e policisë pa u vënë re. 

Statusi në Facebook:

Trafiku i drogës, me dijeninë e policisë dhe portit të Durrësi!

Në portin e Ankonës në Itali, u bllokuan dy kamion me rreth 10 ton hashash! Njëri transportonte polisterol dhe tjetri shufra (lingota) metali ku brenda tyre ishin fshehur rreth 10 ton hashash në total! Dy shoferët në burg!

Kush i kaloi në port këto dy kamion të mbushur me hashash!?

A ju nënshtruan skanerit, nëse po pse nuk u konstatua hashashi dhe nëse jo kush dha urdhër mos të futen në skaner!?

Policia kufitare, i kontrolli, me sy të lirë, me qenë antidroge apo kishin urdhër që mos të afroheshin se edhe era kutërbon deri në 5 metër largësi!?

Mirë skafet nuk po kapen se policia e rojës bregdetare s’ka benzinë të mjaftueshëm, po kamionët në port kush i lë të kalojnë?

Si ka mundësi, që drejtori i Policisë së Durrësit vazhdon në detyrë bashke me zyrtarët e doganës së portit, kur nën hundën e tyre kalojnë tonelata drogë!?

Nuk mbajnë përgjegjësi këta individë apo zyrtarë të tjerë të policisë e doganave që droga kalon në ditën për diell!?

Mirë për ndërtimin e pistës së avionëve që po ndërtohet, të cilën nuk e panë zyrtarët e policisë së Durrësit, po kamionët kush i lejon të kalojnë!

#policia_qe_sduam#

#dogana_qe_sduam#

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat