Dekriminalizimi, KQZ: Armando Prenga nuk preket!

Shqipëria

Dekriminalizimi, KQZ: Armando Prenga nuk preket!

Më: 19 shkurt 2017 Në ora: 17:20
Drilon Hoxha

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes zëdhënëses Drilon Hoxha bëri me dije se nga 140 deputetë sa ka Parlamenti, vetëm 19 prej tyre kanë të dhëna në një ose më shumë rubrika të formularit të vetëdeklarimit, apo kanë shënime në vërtetimet e gjendjes gjyqësore.

Sa u përket kryebashkiakëve, nga 61 kryetarë bashkie, 11 prej tyre kanë plotësuar të dhëna në një ose disa nga rubrikat në Formularin e Vetëdeklarimit, apo kanë shënime në vërtetimet e gjendjes gjyqësore. KQZ ka verifikuar edhe 1.595 anëtarë të Këshillave Bashkiakë, që kanë dorëzuar formularët, të cilat janë bërë publike në mbledhjet e KQZ-së.

Sa i përket kërkesës së prokurorisë për heqjen e mandatit të deputetit të PS Armando Prenga KQZ ka konkluduar se të dhënat e shënuara në formularin e tij të vetëdeklarimit nuk përfshihen në kushtet për ndalimin e ushtrimit të funksionit.

Për KQZ-në, edhe Armando Prenga nuk e humb mandatin, por prokuroria pak ditë më parë kërkoi heqjen e mandatit të tij, me arsyetimin se ai rezulton me precedentë penalë në shtetin italian dhe atë shqiptar.

Drilona Hoxhaj, zëdhënëse e KQZ-së, tha: “Deputetët Armando Prenga, Asllan Dogjani, Andrea Marto, Florion Mima dhe kryebashkiakët Artur Bardhi, Adem Lala, Ndrec Dedaj dhe Zef Hila nuk kanë shënuar asgjë në rubrikat e formularit të vetëdeklarimit, por, sipas vërtetimit të gjendjes gjyqësore, rezulton se kanë dënime me vendim të formës së prerë, fillim të procedimit penal apo shqyrtime nga gjykatat shqiptare për vepra penale të cilat nuk përfshihen në kushtet për ndalimin e ushtrimit të profesionit”.

Të hënën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet për të diskutuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme të pak ditëve më parë. Mes dy institucioneve tensioni po rritet dhe pritet që mbledhja e radhës e KQZ-së të jetë shumë më e ndryshme nga mbledhja kur u hoqën menjëherë mandatet e deputetëve Dashamir Tahiri, Shkëlqim Selami dhe kryebashkiakut Elvis Rroshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat