Tirani ra por jo tirania!

Shqipëria

Tirani ra por jo tirania!

Nga: Leonora Laçi Më: 20 shkurt 2017 Në ora: 22:41
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh T Z.Nishani

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh T Z.Nishani u tregua bujar duke dekoruar Kompaninë 4000 me dekoraten “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”në ditën simbolike të 20 shkurtit.

Heronjët e heshtur ! Bijtë e këtij kombi u vranë, u prenë në besë nga bashkëkombësit e tyre ! Pse?! Se kishin bindje ndryshe, besonin të ndaluarën, DEMOKRACINË ! Të doje një Shqipëri demokratike ishte e ndaluar dhe kush e mendoj atë, përfundoj burgjeve e kampeve, se dhe mendimet vriteshin e burgoseshin, lere më dëshirat.

Më datën 20 shkurt 2017 isha mes shumë të tjerëve e ftuar në ceremoninë e dekorimit të Kompanisë 4000 në ambientet e presidencës së bashku me djalin e Xhemal Laçit, Muhametin.

Data 20 shkurt kur tirani ra por jo komunizmi, ai ra simbolikisht sepse ata vazhduan të ishin aty dhe më të fortë. Pse e them këtë sepse u desh të vinte viti 2017 për tu kujtuar për dekorimin e ushtarëve të lirisë që u hodhën në gjirin e vdekjes, në malet e Shqipërisë. Pikërisht në pasditen e datës 20 shkurt që përkon me rënien e bustit të diktatorit, Presidenti Bujar Nishani mbajti ceremoninë e dekorimit të Kompanisë 4000. Kjo është për tu përgëzuar, pasi deri më tani ka munguar jo vetëm dekorimi i tyre por dhe respektimi apo gjetja e një date përkujtuese, për të vendosur kurora.

Po ashtu ka shpresë për reflektim që ky dekorim të shërbej që ngjarje të tilla si veprimtaria e Kompanisë 4000 të bëhet pjesë e historiografisë tonë.

Pse ishte i domosdoshëm ky dekorim ? Sepse Shqipëria e vogël u bë pjesë e planeve të mëdha, ndërkombëtarët, aleatët anglo-amerikan pranuan se kishin gabuar dhe donin të riparonin atë çfarë kishin bërë. Për ta bërë këtë ata mblodhën eksponentët kryesor të mërgatës politike shqiptare dhe formuan Komitetin Shqipëria e Lirë si organizëm politik dhe Kompaninë 4000 si krah ushtarak.
 
Në dy librat e mi: “Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1955” dhe “Veprimtaria e Kolonel Xhemal Laçit përmes dokumenteve dhe kujtimeve”, një hapësirë të madhe ka aktiviteti i Kompanisë 4000, vet Komiteti Shqipëria e Lirë dhe emigracioni në total.

Kompania 4000 që ishte e kamufluar me emrin Albany Labor Army Servic 4000 u krijua në Munchen të Gjermanisë dhe mori trajtë në fillim të viti 1951.

Aty morën pjesë vullnetarisht rreth 250 refugjatë shqiptar, oficerë, togerë e kapterë e nën komandën amerikane. Përbërja e kësaj Kompanie ishte ndërtuar sipas kritereve politikë duke marr parasysh përbërjen e Komitetit Shqipëria e Lirë, 2/5 monarkistë, 2/5 ballistë dhe 1/5 të pavarur. Krijimi i Kompanisë 4000 la të kuptohej se rrëzimi i komunizmit në Shqipëri do ishte çështje kohe.
 
Junta caktoi Çaush Bashon (ballist) si oficer me gradën më të lartë dhe Xhemal Laçin (monarkist) si zevendës të tij. Disa nga ushtarët e lirisë që u desantuan në malet e Shqipërisë ishin: Hamit Matjani, Ethem Çako, Sadik Ramo, Alush Lleshanaku, Xhevdet Blloshmi, Ndue Melyshi, Ndue Gjomarkaj, Sali Daliu, Selim Daci, Destan Baftjari, Rexhë Berisha, Iljaz Toptani, Ramadan Cenaj, Llesh Nikolla, Hajrulla Selim Murtezai, Isuf Dema, Hysni Salko, Adnan Ypi, Rustem Kuçka, Kol Hila, Isuf Uka, Abdulla Kika, Dilaver Kacuqi, Halil Nërguti, Xhetan Daci, Sadik Bega, Zenel Shehu, Qemal Mara, Fadil Veliu, Riza Cami, Kasem Shehu, Tahir Prençi, Halil Branica, Haxhi Gjyle, Han Kotarja, Xhelo Tresova, Llukman Lutfiu, Kasem Zhupa, Tefik Likaj etj.

Ka shumë e shumë emra që duhen përmendur. Vepra e atyre që pranuan të sakrifikonin jetën për idealet kombëtare, janë heronjtë kryesorë për të cilët duhen ngritur memoriale, shkruar vepra, mbajtur përkujtimore, me bindje të plotë e them këtë. Dëshira tyre për t’i shërbyer atdheut në atë formë nuk duhet mohuar aq më pak tjetërsuar.

Presidenti në fjalën e tij vleresojë maksimalisht veprimtarinë e tyre kombëtare kunder regjimit komunist.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat