Dokumentacioni/ Të përndjekurit politikë në Shqipëri, rihapet procesi i aplikimit

Shqipëria

Dokumentacioni/ Të përndjekurit politikë në Shqipëri, rihapet procesi i aplikimit

Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 07:46
Portestë e mëhershme e të përndjekurve politikë në Shqipëri

Ish-të përndjekurit e kategorisë së parë që nuk kanë plotësuar ende dokumentacionin për dëmshpërblim, tashmë do të kenë një mundësi të re për ta bërë këtë. 

Qeveria ka miratuar projektligjin, i cili tashmë ndodhet për shqyrtim në Kuvend, që u jep një shans të ri atyre që nuk kanë arritur të aplikojnë për dëmshpërblim si kategori e parë deri në 1 korrik të vitit 2009. Afati i ri i përcaktuar është 31 dhjetori i vitit 2017. Nëse ata nuk i dorëzojnë dokumentet në këtë afat, do të humbasin të drejtën e përfitimit prioritar. Ish-të përndjekurit që përfitojnë nga rivendosja në afat e procesit të aplikimit duhet të plotësojnë formularin që publikohet nga “Gazeta Shqiptare” dhe ta dorëzojnë atë në Ministrinë e Drejtësisë. Sipas relacionit të projektligjit, me këto ndryshime do të bëhet e mundur futja në skemën e pagesës së dëmshpërblimit të rreth 320 personave, të cilët nuk kanë paraqitur kërkesën për përfitimin e dëmshpërblimit brenda afatit ligjor të parashikuar. Fondi për këtë vit do të jetë 112 milionë lekë, ndërsa për gjithë kompensimin 919 milionë lekë.

PROJEKTLIGJI

Brenda datës 31.12.2017, ish-të dënuarit politikë të cilët bëjnë pjesë në kategorinë e subjekteve përfituese parësore dhe plotësojnë kriteret e neneve për kriteret për të përfituar dëmshpërblim dhe vepra penale politike, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kujdestarit ligjor, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën me shkrim, për përfitimin e dëmshpërblimit financiar për dënimin penal të padrejtë, sipas formularit. “Mosparaqitja e kërkesës brenda afatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, sjell humbjen e së drejtës së dëmshpërblimit për ish-të dënuarin politik, i cili bën pjesë në kategorinë e subjekteve përfituese parësore. Sipas këtij ligji, ish-i dënuari politik i regjimit komunist, që bën pjesë në kategorinë parësore, personi i autorizuar apo kujdestari i tij ligjor nuk mund të rivendosen në afat për paraqitjen e kërkesës pas datës 31.12.2017.”, thuhet në projektligj. Sipas tij, aplikimet e paraqitura në Ministrinë e Drejtësisë pas datës 1.7.2009, nga subjektet e kategorisë parësore, konsiderohen të vlefshme. Ministria e Drejtësisë fillon procedurën e shqyrtimit administrativ për kërkesat për përfitimin e dëmshpërblimit financiar, të paraqitura nga subjektet e kategorisë parësore, pas datës 1.7.2009.

RELACIONI 

Qëllimi i projektligjit është mundësimi i së drejtës kushtetuese dhe ligjore për dëmshpërblimin financiar për ish-të dënuarit politikë, të gjallë, të cilët bëjnë pjesë në kategorinë e subjekteve përfituese parësore, por që nuk kanë përfituar dëmshpërblim për shkak të paraqitjes së kërkesës pas përfundimit të afatit ligjor të parashikuar. Objektiv i këtij projektligji është shtyrja e afatit ligjor për paraqitjen e kërkesave për dëmshpërblim për subjektet e kategorisë parësore deri në datën 31.12.2017, duke krijuar mundësinë për përfitimin e dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit që kanë vuajtur vetë dënimin gjatë regjimit komunist dhe janë ende në jetë, por që deri tani, nuk kanë mundur të përfitojnë dëmshpërblim për shkak se nuk kanë aplikuar brenda afatit ligjor të parashikuar, i cili ka qenë 1.7.2009. Në korrik të vitit 2014 është miratuar ligji nr.94/2014, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar. Ashtu sikurse ligji nr.94/ 2014, projektligji synon përmbylljen e procesit të dëmshpërblimit për ata ish-të dënuar që kanë vuajtur vetë dënimin gjatë regjimit komunist, ish-të dënuar të gjallë, të cilët në bazë të nenit 12, të ligjit nr.8931/2007, të ndryshuar, konsiderohen subjekte përfituese parësore, por që, deri tani, nuk kanë mundur të përfitojnë dëmshpërblim për shkak se kanë aplikuar për të përfituar dëmshpërblim pas përfundimit të afatit ligjor. Projektligji parashikon rivendosjen në afat vetëm për subjektet përfituese parësore, duke i dhënë përparësi dëmshpërblimit të ish-të dënuarve që janë gjallë në momentin e kryerjes së pagesës në raport me trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë, bazuar në kritere objektive të vendosura më parë nëpërmjet ligjit nr.94/2014, të tilla si: të jenë ata vetë që kanë vuajtur dënimin, gjinia, mosha, gjendja shëndetësore dhe nevojat e fëmijëve të tyre të mitur.

Mosparashikimi nga projektligji i rivendosjes në afat dhe për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë lidhet me efektin financiar të projektligjit në raport me fondin vjetor në buxhetin e shtetit për dëmshpërblimin e kësaj shtrese, mbështetur edhe në vlerësimin e bërë nga Ministria e Financave për efektin financiar të projektligjit. Nga ana tjetër, projektligji nuk përmban asnjë dispozitë që ndalon rivendosjen në afat të trashëgimtarëve të ish-të dënuarve të politikë, në çdo kohë kur një gjë e tillë do të vlerësohet e mundshme për t’u realizuar. Në paragrafin e dytë, të nenit 2, të ligjit nr.8931, datë 12.11.2007, Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve të regjimit komunist, të ndryshuar, përcaktohet se: “Dëmshpërblimi financiar, sipas këtij ligji nuk përjashton marrjen e masave të tjera të njëkohshme ose të mëvonshme, ligjore apo administrative, në dobi të të persekutuarve e të dënuarve politikë, të cilat i shërbejnë rivendosjes së drejtësisë dhe dinjitetit shoqëror të kësaj shtrese apo krijimit të kushteve favorizuese për riintegrimin shoqëror të tyre”. Projektligji parashikon se kërkesat për përfitimin e dëmshpërblimit, të paraqitura nga subjektet e kategorisë parësore jashtë afatit ligjor, i cili ka qenë 1.7.2009, konsiderohen të vlefshme. Ky parashikim është bërë me qëllim shmangien e burokracive dhe për të lehtësuar ish-të dënuarit nga detyrimi për të mbledhur dhe paraqitur edhe një herë pranë Ministrisë së Drejtësisë dokumentacionin e kërkuar dhe kërkesën për të përfituar dëmshpërblim. Projektligji është në përputhje me zbatimin e objektivave të parashikuar në programin e qeverisë për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist dhe hartohet jashtë programit analitik të projektakteve të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për vitin 2017.

DOKUMENTET PËR KATEGORITË PARËSORE

1. Ish-të dënuarat politike gra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës:1. Certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit;2. Vërtetim për numrin e llogarisë bankare, në një nga bankat e nivelit të dytë, për ish-të dënuarën politike.

2. Ish-të dënuarit politikë, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të ligjit 94/2014:1. Certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit;2. Vërtetim për numrin e llogarisë bankare, në një nga bankat e nivelit të dytë, për ish-të dënuarin politik ose të kujdestarit të tij ligjor, kur ai ka humbur zotësinë juridike për të vepruar.

3. Ish-të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm: 1. Certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit;2. Vërtetim për numrin e llogarisë bankare, në një nga bankat e nivelit të dytë, për ish të dënuarin politikë;3. Dokumentacioni që vërteton sëmundjet e rënda.

4. Ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji:1. Certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit;2. Certifikatë familjare ku të përfshihet fëmija i mitur;3. Certifikatë personale të fëmijës/fëmijëve të mitur;4. Vërtetim për numrin e llogarisë bankare, në një nga bankat e nivelit të dytë, për ish-të dënuarin politik.5. Ish-të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji:

1. Certifikatë vdekjeje e ish-të dënuarit politik, origjinale;2. Certifikatë origjinale e trungut familjar të ish-të dënuarit politik, ku të përfshihen:fëmija/fëmijët e mitur. Certifikata e trungut nuk mund të zëvendësohet me certifikatë familjare;3. Certifikatë personale e të miturit/miturve, trashëgimtarë të radhës së parë të ish-të dënuarit politik që nuk jeton;4. Akt trashëgimie ligjore për të dënuarin politik, origjinale ose fotokopje e noterizuar;5. Vendim gjykate të kujdestarisë mbi të miturin në rastin kur edhe nëna/babai i të miturit nuk jeton më;6. Nr. llogarie bankare në lekë në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në emër të kujdestarit ligjor të të miturit;7. Dokument identiteti (kopje ID-je, pasaporte) të kujdestarit ligjor.6. Ish-të dënuarit politikë që jetojnë, në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshë nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji:

1. Certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit;2. Vërtetim për numrin e llogarisë bankare, në një nga bankat e nivelit të dytë, për ish-të dënuarin politik. Kur ish-i dënuari politik që jeton ka humbur zotësinë juridike për të vepruar, kujdestari ligjor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat