Fleckenstein përfundon takimin me Ramën: Nuk do shkoj në protestën e opozitës

Shqipëria

Fleckenstein përfundon takimin me Ramën: Nuk do shkoj në protestën e opozitës

Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 11:23
Pamje nga takimi i eurodeputetit gjerman Knut Fleckenstein me kryeministrin Rama

(E plotësuar) -  Pas takimit të parë më ambasadoren e BE, Vlahutin, eurodeputeti Knut Fleckenstein ka përfunduar takimin e radhës me kryeministrin Edi Rama në kuadër të vizitës 3-ditore në Shqipëri, ndërsa pritet të takojë kreun e Kuvendit, Ilir Meta si dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha.

Pas takimit me kryeministrin, raportuesi për Shqipërinë ne Parlamentin Europian u shpreh se pati një takim të mirë me Ramen, ndërsa i pyetur nëse do ketë takim në protestën që po mban opozita ai e mohoi.

“Pata një takim të mirë me Ramën, ndërsa do takoj edhe Metën me Bashën. Nuk do shkoj tek protesta që po zhvillon opozita”- tha Knut Fleckenstein.

Më herët përmes një statusi në rrjetet sociale Knut Fleckenstein u shpreh se axhenda në Shqipëri është e vështirë dhe se bisedimet janë serioze. Gjatë ditës së djeshme në një intervistë për DW eurodeputeti gjerman theksoi se zgjedhjet e qershorit janë moment kyç për hapjen e bisedimeve.

Javën e kaluar Parlamenti Evropian miratoi një rezolute përmes te cilës i kërkon Shqipërisë te bëjë kujdes me reformën ne drejtësi, të vijojë reformën zgjedhore dhe te organizoje zgjedhje te lira dhe të ndershme.

Nis takimi i Fleckenstein me kryeministrin Rama: Vendi i çdo force politike në parlament

Vizitë e tij tre ditore në Tiranë, eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein e ka nisur  në një takim me ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në Tiranë.

Mësohet se ai zhvilloi një takim informal me Ambasadoren e BE-së Romana Vlahutin dhe Ambasadorin e SHBA-së Donald Lu në hotel “Rogner”.

Në përfundim të takimit, Fleckenstenin iu përgjigj interesit të gazetarëve mbi zhvillimet më të fundit në vend, sikurse edhe për protestën e opozitës.

“Protesta duket e qetë.Vendi i çdo force politike është në parlament. Do takoj Bashën dhe do diskutojmë, por nuk do negocioj”, deklaroi ai.

Më pas, i shoqëruar edhe nga Ambasadorja Vlahutin,  eurodeputeti gjerman iu drejtua Kryeministrisë, ku po zhvillon një takim me Kreun e Ekzekutivit, Edi Rama.

Axhenda e takimeve do të vijojë me një takim me kreun e Kuvendit Ilir Meta në orën 11:45.

Në orën 15:45, eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein do të zhvillojë një takim me Ministren e Integrimit, Klajda Gjosha ndërsa mësohet se në orët e pasdites pritet të ketë një takim edhe me kreun  e opozitës Lulzim Basha, por nuk ka një orar të përcaktuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat