Ramës i 'shpëton' goja dhe nxjerr zbuluar deputetët e 'fortë' me policinë

Shqipëria

Ramës i 'shpëton' goja dhe nxjerr zbuluar deputetët e 'fortë' me policinë

Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 13:07
Pjesëtare e Policisë së Shqipërisë

Gjatë një aktiviteti për promovimin e grave në Policinë e Shtetit, kryeministri Edi Rama dha shembullin e dy deputetëve për të treguar se sa ndryshim ka sjellë përfshirja e grave dhe vajzave në radhët e uniformave blu.

Rama rrëfeu historinë e një deputeti që nuk i kishte paguar më parë gjobat, pasi sipas tij policët e mëparshëm kanë qenë të paarsimuar dhe pa komunikim.

Ndërkohë, me reformimin e policisë, deputeti në fjalë, emrin e të cilit kryeministri nuk e tha, u gjobit nga dy efektive të Policisë Rrugore për një parkim të gabuar.  

“Një deputet e kishte të pamundur të diskutonte gjobën për parkim të gabuar përballë dy vajzave të veshur me uniformë policie. "Isha mësuar me policë që s’dinin të flisnin dhe përfitoja nga kjo për ti thënë ik mësoni të flisni pastaj të paguaj gjobën. Përballë atyre vajzave u detyrova të paguaj kokëulur gjobën time të parë”, - tregoi Rama fjalët e deputetit. Ai tha se histori të tilla janë të panumërta.

“Po të mos ishin femrat police deputetët do vazhdonin të parkonin gabim dhe të mos paguanin gjobat. Tani  nuk i shkon mendja më asnjë deputeti që të mos paguajë gjobën. Se siç më thoshte një deputet tjetër “se ato dhe nuk të ndahen mor burrë”, - tha Rama.

Por ndërkohë, në këto deklarata Rama ndoshta nuk mori parasysh, shkeljen e rëndë që kanë bërë deputetët duke mos paguar gjobat për parkime të gabuara apo shkelje të ndryshme rrugore... Pavarësisht sjelljes së policit, gjoba duhet paguar, pasi në rastet konkrete, deputetët, kanë bërë shkelje. Nuk dihen emrat e deputetëve që s’i kanë paguar gjobat e policëve para 2013-ës, dhe që kanë “zënë” mend me promovimin e vajzave në Polici.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat