Basha bën thirrje për qëndresë, Fleckenstein: Nuk negocioj me PD

Shqipëria

Basha bën thirrje për qëndresë, Fleckenstein: Nuk negocioj me PD

Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 15:53
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mbajti një tjetër fjalim në çadrën e ngritur përpara Kryeministrisë.

Ai u bëri thirrje demokratëve për rezistencë.

“Shteti ligjor ka rënë për shkak të kryeministrit. Parlamenti ka rënë për shkak se kryeministri e ka mbushur me kriminelë. Bashkitë kanë rënë se në krye ka vendosur kriminelë. A nuk është koha të rrëzojmë këtë qeveri, si garanci e vetme të mos rrëzojë të vetmin institucion që e mban Shqipërinë në këmbë?!

Dy rruga ka, ose do të pranojmë të shkatërrojë, të bjerë dhe ky institucion i zgjedhjeve të lira e të ndershme, ose së bashku do të qëndrojmë këtu derisa të largojmë qeverinë e së bashku të japim zgjidhjen që meritojnë shqiptarët përmes zgjedhjeve të lira,” tha Basha.

Ndërkohë eurodeputeti Knut Fleckenstein, që ka mbërritur këtë të martë në Tiranë, në kuadër të një vizite zyrtare, është ndalur tek çadra e ngritur në bulevard nga opozita, ku ka përjashtuar mundësinë e një ndërmjetësimi me kryetarin e PD, Basha.

“Nuk negocioj me opozitën. Sa herë kam ardhur këtu kam biseduar me zotin Basha. Por nuk ka negociata”, tha Fleckenstein.

Ndërsa është shprehur me ironi se, “tenda (e protestës) duket këndshëm,” eurodeputeti shtoi se, “anëtarët e Parlamentit janë zgjedhur për të bërë punën e tyre në Parlament”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat