Fleckenstein: Vendi i deputetëve në parlament

Shqipëria

Fleckenstein: Vendi i deputetëve në parlament

Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 17:42
Knut Fleckenstein

Relatori për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Fleckenstein, nisi sot vizitën zyrtare në Tiranë, një vizitë e programuar që më parë, por që përkon me zhvillime të tensionuara në vend, pas vendimit të opozitës për të protestuar deri në largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme 18 qershorin e ardhshëm. Opozita ka vendosur gjithashtu bojkotimin e parlamentit. Për eurodeputetin Fleckenstein “anetarët e parlamentit duhet të kryejnë punën e tyre në parlament, përveç asaj që ata mund të bëjnë tjetër”, deklaroi Fleckenstein.

Një ditë më parë në një intervistë për Televizionin publik shqiptar, zëdhënësja e Komisionit europian Maja Koçijançiç u shpreh se “Për ne, debati politik duhet të zhvillohet brenda parlamentit dhe jo jashtë tij. Polarizimi i mëtejshëm i arenës politike do të ishte vetëm kundër-produktive për ambicjen e Shqipërisë për t’iu bashkuar Unionit Europian, madje edhe për avancimin në rrugën e saj europiane”. Duke ju referuar vendimeve që duhet të merren lidhur me zbatimin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ajo theksoi se “Eshtë e rëndësishme të tregohet vazhdimësia e parlamentit në një moment kyç, kur diskutohen e miratohen ndryshimet, në veçanti ato që lidhen me reformën e drejtësisë. Këto ndryshime kanë rëndësi thelbësore për të siguruar progresin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën drejt BEsë dhe siç e mbani mend, Komisioni rekomandoi në Nëntor nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, subjekt i zbatimit të prekshëm e të besueshëm në reforma specifike dhe pikërisht reforma e drejtësisë është ajo që kam në ndërmend”.

Relatori për Shqipërinë Fleckenstein takoi sot gjatë paradites Kryeministrin Edi Rama, ndërsa pritet të bisedojë dhe me kreun e opozitës Lulzim Basha duke saktësuar se do të flas me të “por nuk do të negocioj”.

Që prej ditës së shtunë opozita ka nisur një protestë përpara selisë së kryeministrisë. Drejtuesit e saj kanë përsëritur me këmbëngulje se “nuk ka kthim pas nga rruga e nisur”. Ndërkohë që për shumicën, protesta e opozitës është “një alibi për të justifikuar humbjen elektorale të radhës” dhe “ka si synim të pengojë procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Edhe sot në ditën e katërt të protestës, kryetari demokrat Lulzim Basha, tha nga tenda e ngritur para sheshit të godinës së Qeverisë, se kauza që opozita mbron “është një kauzë më e madhe se gjithsecili prej nesh, është një kauzë për Shqipërinë e sotme dhe vendimtare për Shqipërinë e së ardhmes”. Ai rikonfirmoi dhe një herë se nuk do të ketë tërheqje. “Jemi këtu e do jemi këtu çdo ditë e më shumë, çdo ditë e më të vendosur deri në realizimin e plotë, jo të pjesshëm, të kushtit tonë, zgjedhje të lira e të ndershme, largimin e këtij kryeminisri dhe krijimin e një qeverie teknike. Sot nuk ka detyrë më të madhe se sa këtë protestë ta shtrijmë anembanë Shqipërisë. Asgjë nuk do të jetë më si më parë derisa zëri i shqiptarëve për zgjedhje të lira e të ndershme të dëgjohet dhe vullneti i tyre të respektohet”, deklaroi kreu i opozitës sipas të cilit “kur në vend ka rënë çdo institucion, është koha të rrëzohet Qeveria”./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat