Nxënësit nuk u lejuan në protestën e PD? Drejtoresha: Partitë jashtë shkollave!

Shqipëria

Nxënësit nuk u lejuan në protestën e PD? Drejtoresha: Partitë jashtë shkollave!

Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 18:51
Nxënësit

Lajmi se drejtoresha e shkollës së gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, ndalonte nxënësit të shkonin në protestën e nisur nga Partia Demokratike, u publikua nga shumë portale.

Lajmi u shoqëruar me foto të shfaqura nga zëvendëskryetarja e Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Silvana Beqaj, drejtoresha e shkollës “Asim Vokshi”, i hodhi poshtë këto akuza, duke i quajtur shpifje e shëmtuar.

“Është shumë e shëmtuar ajo që ka dalë në media, ku thuhet se drejtoresha ka lidhur me zinxhirë nxënësit. Ai moment në foto është pushimi i madh dhe jemi si çdo ditë tjetër normale.Te foto  ku dukem unë në telefon, jam duke folur me Bashkinë që të vijë dhe të ma ngjisë atë hekurin, e të mos më dalin nxënësit, gjatë orarit të mesimit. Kjo pasi ne e kemi në rregullore që nxënësit qëndrojnë në ambientet e shkollës deri sa i mbaron mësimi e nuk u lejohet të dilet. Për këtë arsye edhe prindërit na bësojnë, për disiplinën korrekte. Ajo që u publikua në media sot është provokim për të prishur emrin e shkollës. Por gjithsesi mua më kanë bërë reklamë të mirë, pasi tregohet që shkolla është me disiplinë të fortë. Çështje dhe probleme politike në shkollën tonë në mënyrë absolute nuk është diskutuar. Secili prej mësuesëve është i lirë të mendojë e të përkrahë cilëndo parti, por duhet të zbatojnë rregullat e nuk duhet t’i shfaqin ato në punë. Asnjëherë nuk janë bërë biseda politike e aq më pak ndaj nxënësve, nuk është ushtruar dhunë politike.” shprehet drejtoresha

Më tej drejtoresha e shkollës thotë se nuk ka pasur asnjë reagim të nxënësve apo kërkesa të tyre për të shkuar në protestë.

“Në këto dy ditë mësimi, asnjë prej nxënësve nuk ka bërë kërkesën për të shkuar në protestë apo të bëhen grup e të kërkojnë largimin nga mësimi. Por edhe nëse do të ndodhte, unë nuk mund ta lejoj nxënësin që ai të thotë, ‘do iki unë në protestë dhe do lë mesimin’,  sepse mësimi është i shenjtë. Kushdo është i lirë të zgjedhi e të shkojë në protestë, por gjithmonë mbas orës 14.00 dhe jo në orarin mësimor. Në orarin mësimor nuk ka të drejtë të hyjë asnjë parti e ta përdorë nxënësin për qëllime politike.” shton ajo

Edhe disa nxënës të shkollës “Asim Vokshi”, e mohuan të kenë bërë kërkesa për të shkuar në protestë. Ata shtojnë se nuk kanë pasur propozime nga askush për t’iu bashkuar portestës së nisur ditën e shtunë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat