Bashkëshortja e Bashës flet në çadrën e protestës, tregon sakrificat gjatë jetës

Shqipëria

Bashkëshortja e Bashës flet në çadrën e protestës, tregon sakrificat gjatë jetës

Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 21:13
Aurela e Lulzim Basha

Bashkëshortja e Lulzim Bashës , Aurela ka mbajtur ditën e sotme një fjalim të shkurtër në çadrën e protestuesve të PD-së para Kryeministrisë.

Aurela tha se ishte aty si përfaqësuese e brezit të parë të të rinjve shqiptarë që në vitet 1992-1993 iu dha mundësia të iknin jashtë shtetit për një jetë më të mirë.

Ajo tha se ka shumë arsye që të qëndrojnë të bashkuar në protestë për të kthyer mbrapsht sakrificën e prindërve të tyre që i rritën me aq mundim në periudhën në prag të shembjes së regjimit komunist.

“Unë doja të thoja që jam këtu si bashkëshorte por jam këtu edhe si nënë e dy fëmive të vegjël.

Jam këtu edhe si përfaqësuese e brezit të parë të të rinjve shqiptarë që në vitet 92-93 iu dha mundësia të ikin jashtë shtetit, të studiojnë e të kenë një mundësi për një jetë më të mirë. Jam këtu edhe si bija e atyre prindërve, nënave dhe baballarëve, që na rritën me aq sakrifica.

Dhe sot, është detyra jonë që ta kthejmë këtë sakrificë mbrapsht. Është detyra jonë që sot të bëjmë ne sakrificën tonë.

Tani që ne dimë më mirë, kemi parë më shumë, është detyra jonë që të qëndrojmë këtu në këtë shesh e të mos pranojmë asgjë më pak se sa standardet europiane. Ne nuk jemi qytetarë të dorës së tretë, ne nuk duam standarde të tjera, ne duam standardet e vërteta.

Ne i kemi parë këto standarde, e dimë shumë mirë se çfarë janë ato. Ne duam për Shqipërinë atë që do çdo europian për vendin e vetë”, u shpreh Aurela Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat