Flet vajza e fiksuar keq pas Princ Lekës: Dashuria ime për të nuk mbaron

Shqipëria

Flet vajza e fiksuar keq pas Princ Lekës: Dashuria ime për të nuk mbaron

Më: 22 shkurt 2017 Në ora: 18:43
Princ Leka dhe Elia

Një vajzë 25-vjeçare me banim në Tiranë, i ka “rënë në kokë” për Princ Lekën, në një kohë që ai kishte caktuar ditën e dasmës me aktoren Elia Zaharia, raporton “Panorama”.

Për shkak të ndjenjës që ushqente për të, e reja me shtetësi maqedonase dhe amerikane, Fitore Bekteshi, ka përndjekur për muaj me radhë çiftin e ri të familjes mbretërore.

Ajo u është ngjitur atyre gjatë aktivitetit të përditshëm, duke i ndjekur në çdo organizim ku merrnin pjesë, në jetën profesionale apo edhe në daljet e tyre private në bare apo restorante në kryeqytet.

Bekteshi ka guxuar të futet në oborrin e banesës së familjes Zogu, nuk ka kursyer deklaratat e dashurisë me zë të lartë për Lekën në ambiente publike, si dhe ka kërcënuar Elia Zaharian në sy se “do ta përcillte”.

Fiksimi i 25-vjeçares dhe veprimet e kryera prej saj kanë shkaktuar ankth dhe frikë tek aktorja Zaharia, e cila, më 12 korrik 2016, e ka kallëzuar atë në Policinë e Tiranës.

Pasi u hetua në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, 25-vjeçarja përfundoi si e pandehur në gjykatë për akuzën e “përndjekjes”.

Më 16 shkurt 2017, Gjykata e Tiranës mbylli gjykimin e dosjes së saj, duke e deklaruar fajtore dhe e dënoi me 6 muaj burg. Për shkak se dënimi me burgim është më i madh se dënimi i vuajtur gjykata ka konstatuar shuarjen e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” caktuar më herët ndaj saj.

Gjatë hetimit e pandehura ka pranuar se ka ndjekur Leka Zogun duke thënë: “Doja ta shikoja Lekën, pasi ai për mua ishte një diell më tepër, dielli vetë”.

Sipas vendimit të Gjykatës, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”, e pandehura Bekteshi ka shpërfillur edhe masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të qenë e pranishme në ceremoninë e dasmës së çiftit mbretëror në tetor 2016.

“Unë e dija që isha me masë sigurimi arrest në shtëpi, por përsëri dola nga shtëpia, pasi kisha kohë që nuk e kisha parë Lekën dhe doja ta shikoja për herë të fundit, megjithatë dashuria ime për të nuk ka mbaruar, nuk do ta shpreh më siç ia kam shprehur deri më tani, por do ta dashuroj për së largu”, ka rrëfyer Bekteshi gjatë hetimit të çështjes. Në vijim zbardhen deklarimet e plota të Princeshës Elia Zaharia dhe Princ Leka Zogut, pjesë e dosjes së Gjykatës. /Panorama/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat