Krerët e burgjeve futen në burg, Artur Zoto në të njëjtin vend me vartësin “spiun”

Shqipëria

Krerët e burgjeve futen në burg, Artur Zoto në të njëjtin vend me vartësin “spiun”

Më: 26 shkurt 2017 Në ora: 09:33
Artur Zoto

Që prej më pak se 4 vitesh janë arrestuar pesë zyrtarë të lartë të burgjeve, të cilët kishin në administrim për disa kohë institucionet e vuajtjes së dënimit, në rangjet më ta larta të kësaj drejtorie. Kështu, nga drejtorë burgu pas akuzave të ngritura kaluan në qeli si të burgosur, ku mes të arrestuarve është edhe ish-drejtori i përgjithshëm i Burgjeve dhe ish-zëvendësi i tij, të akuzuar që të dy për korrupsion, ndërsa ky i fundit edhe dëshmuar kundër eprorit të vet, duke e “detyruar” prokurorinë të lëshojë për të urdhër-arrestin . Artur Zoto, mësohet se është vendosur në paraburgimin e “Mine Pezës” bashkë me Iljaz Labin, ndërsa në burgun tjetër të Tiranës gjendet edhe kreu i burgut të Durrësit, Astrit Kote. Ky i fundit, u akuzua se përllogariti gabim vitet e vuajtjes së dënimit për të dënuarin me burgim të përjetshëm që më pas iu hoq kjo masë dhe fitoi lirinë, Lulzim Berisha. Përveç Astrit Kotes, në kërkim gjendet edhe një tjetër zyrtar i kësaj drejtorie, po ashtu siç është në kërkim edhe Leart Çeliku, ish-drejtuesi i burgut të Drenovës. Për të ekziston një vendim gjykate, që ende nuk është bërë e mundur të vihet në pranga.

Kështu, ish-drejtori i përgjithshëm Artur Zoto, u arrestua vetëm pak ditë më parë me akuzën e korrupsionit pasiv në bashkëpunim ku për arrestimin e tij, thuhet nga prokuroria se është përdorur si provë dëshmia e ish-vartësit me detyrën zv/drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, Iljaz Labi, i arrestuar në korrik të një viti më parë. Të dy këta titullarë të institucionit, ndodhen në burg me dyshimin se kanë përfituar rreth 20 milionë lekë në formën e mitmarrjes pasi kanë shpallur fitues disa kompani në tenderin e furnizimit të burgjeve me ushqime. Ndërkohë është shpallur në kërkim ish-drejtori i burgut të Korçës, Leart Çeliku i dënuar për korrupsion, pasi kërkonte para për punësimin në institucionin që drejtonte. I pari që ka provuar qelinë pas ndryshimit të qeverisë në vitin 2013, është Ferdinand Doksani. Ai u arrestua në tetor të 2014- s së bashku me dy punonjës të personelit mjekësor, pasi lironin me leje të dënuarit kundrejt pagesave të ndryshme. Veç 5 drejtuesve të lartë të burgjeve të arrestuar e në kërkim, nga shtator i vitit 2013 e deri më tani janë shkarkuar nga detyra rreth 15 drejtorë të tjerë në kohë të ndryshme bashkë me shefa policie e përgjegjës të regjimeve në institucione të ndryshme të vendit, ku rrallë është një drejtori që nuk është “prekur” nga prangat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat