Basha ia faturon Ramës dhunimin e Spahiut: Mos provokoni popullin!

Shqipëria

Basha ia faturon Ramës dhunimin e Spahiut: Mos provokoni popullin!

Më: 26 shkurt 2017 Në ora: 13:27
Lulzim Basha

Incidentin me kreun e AK-së mbrëmë në çadrën e protestës, kreu i opozitës Lulzim Basha ia faturoi kryeministrit Rama.

Duke folur në një takim me artistët, Basha tha se ishin provokatorët e Ramës ata që goditën Spahiun, andaj përsëriti thirrjen:Mos provokoni popullin!

Basha: Dje provokatorët e Edi Ramës goditën në tendë kreun e AK-së, Kreshnik Spahiu. E bën me pabesi si e kanë zakon. Provokatori mori atë që meritonte këtu në këtë çadër, përshëndes ata të cilët nuk lejuan që provokatori të largohej pa iu prekur qimja e flokut. Përsëris thirrjen: Të shmangin provikimet, mos provokoni popullin përndryshe pasojat e plota të kundërpërgjigjes së fuqishme do jenë mbi ju, urdhëruesit e provokimeve. Mos provokoni popullin.  Provokatorët po ashtu dje, të PS, u munduan të sabotojnë aktin fisnik dhe sublime të grevistëve të Zharrzës.

Kreu i opozitës përjashtoi çdo mundësi për thyerje të bojkotit të grupit parlamentar demokrat.

Ai tha se vetting do të ketë vetëm pas krijimit të qeverisë teknike.

Basha: Frika është përtej atyre mureve, frikë ka dhe duhet të ketë Edi Rama dhe banda e tij. Edi Rama dhe banda e tij është më e izoluar se kurrë, nuk e duan demokratët, nuk e duan socialistët, nuk e do jugu, nuk e do veriu. As ndërkombëtarët, ata që zgjedhjet e lira dhe të ndershme i kanë vlerën më të patjetërsueshme për kombet e tyre. E kanë kuptuar se beteja jonë nuk ka dhe nuk mund të ketë përfundim tjetër përveç fitores së qytetarëve të bashkuar, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dekriminalizimin e parlamentit dhe institucioneve, luftën kundër drogës dhe një drejtësi të vërtetë. Vetting me Armando Prengën dhe Elvis Rroshin nuk ka dhe nuk ka për të pasur.

Por do ketë me qeverisjen e re që do garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po, që të nesërmen ne do ulemi për tu dhënë shqiptarëve vettingun për të cilin votuam me 22 korrik, vettingu që garanton gjyqtarë dhe prokurorë të pakapur që janë makthi i Edi Ramës. I dridhen leqet e këmbëve kur mendon për drejtësinë e pakapur që nuk e merr dot në telefon ta shantazhojë dhe të urdhërojë. Prandaj do vetting fasadë me shoqatat e vullnetarëve të Enverit që ka nxjerrë sot rrugëve të Tiranës. Vetting do ketë një ditë pas qeverisë teknike. E para punë është largimi i pakicës së bandës në pushtet që do të prishë dhe blejë zgjedhjet e shqiptarëve. Shqiptarët nuk do pranojnë më zgjedhje të diktuara nga krimi, paratë e pista të drogës. Ose do ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme ose zgjedhje fasadë nuk ka për të pasur. Nuk do i lejojmë.

Basha tha se rruga e opozitës nuk ka kthim.

Basha: Ushtria e republikës së re është në këtë shesh, në çdo shtëpi shqiptari dhe shqiptareje që është i zhgënjyer dhe pret thirrjen finale për tu çuar në këmbë dhe për ta përmbysur dhe varrosur republikën e krimit, korrupsionit, drogës dhe padrejtësisë. Është çështje kohe, Republika e vjetër vdiq me 18 shkurt. Ta varrosim dhe ti hapim rrugë republikës së re. Asgjë nuk na ndal në rrugën tonë, as provokimet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat