Falja e borxheve, buxheti i shtetit mund të arkëtojë 260 milionë euro

Shqipëria

Falja e borxheve, buxheti i shtetit mund të arkëtojë 260 milionë euro

Më: 26 shkurt 2017 Në ora: 15:45
Arben Ahmetaj

Buxheti i shtetit mund të arkëtojë 260 milionë euro këtë vit, nëse bizneset do të shfrytëzojnë plotësisht ligjin e faljes e borxheve. Llogaritë janë bërë publike nga vetë Ministria e Financave.

Sipas draftit të miratuar nga qeveria, bizneseve debitore ndaj shtetit u falen gjobat dhe interesat për borxhet e periudhës 2011-2014, por me kushtin që ato të shlyejnë të plotë detyrimin tatimor.

 Në relacionin shoqërues të projektligjit, zbulohet se në total borxhi i kësaj periudhe që biznesi ka ndaj tatimeve dhe doganave llogaritet në rreth 96 miliardë lekë. 

Por, nga kjo shifër, detyrimi fillestar është vetëm 35 miliardë lekë, ndërsa pjesa dërrmuese janë gjoba dhe interesa që shteti ka aplikuar mbi biznesin për mospagesën në kohë të këtyre detyrimeve.

Sipas relacionit të ligjit, këto gjoba dhe kamatëvonesa llogariten në mbi 61 miliardë lekë, pra gati dy herë më shumë sesa vetë detyrimi. Në draftin e ri, qeveria ka vendosur faljen plotësisht të gjobave dhe interesave, nëse biznesi paguan detyrimin fillestar, pra atë prej 35 miliardë lekë ose afro 260 milionë euro, raporton tch.

Por, a do e shlyejë biznesi këtë detyrim për të përfituar nga falja e penaliteteve?  Kjo mbetet për tu parë. E sigurtë është se ligji i faljes tashmë ka mbërritur në Parlament dhe do të miratohet përpara zgjedhjeve të përgjithshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat