Rama inspekton kantieret e Rilindjes Urbane në Vlorë dhe Sarandë

Shqipëria

Rama inspekton kantieret e Rilindjes Urbane në Vlorë dhe Sarandë

Më: 26 shkurt 2017 Në ora: 21:58
Kryeministri Edi Rama inspektoi disa nga kantieret e Rilindjes Urbane në Vlorë dhe Sarandë

Kryeministri Edi Rama inspektoi disa nga kantieret e Rilindjes Urbane në Vlorë dhe Sarandë, por edhe të rivitalizimin e nënstacioneve në Radhimë, Dhërmi dhe Himarë.

Ai inspektoi dhe një nga kantieret e rëndësishme të Rilindjes Urbane në Vlorë, rikonstruksionin e rrugës “Veledin Kollozi” dhe rivitalizimin e hapësirës përreth.

Si një nga rrugët kryesore në qendër të qytetit, ajo përbën një arterie kryesore me rëndësi turistike dhe ekonomike. Rikonstruksioni përfshin zgjerimin e rrugës dhe kthimin e hapësirave në anë të saj në hapësira rekreative, me zona pushimi, gjelbërim dhe sistem ndriçimi të ulët e të lartë. Do të bëhet edhe zëvendësimi i pemëve në anë të trotuareve me pemë të reja.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli theksoi rëndësinë e projektit për komunitetin, duke shpjegoi disa nga detajet e tij. “Në të dy krahët do të vendoset gjelbërim i ndryshëm në këto parqe. Këtu dardhë, atje ndonjë manjolë, në parqet e tjera ndonjë bimë tjetër, mimozë ose diçka tjetër që të jenë në variacion. Gjelbërimi në anë të rrugës do të jetë një nga fillimi në fund. Do të bëjmë një stabilizim të të gjithë hapësirës përpara pallateve, tenda të unifikuara, do lyhen fasada”.

Kryeministri Rama inspektoi edhe ecurinë e punimeve për rivitalizimin e hapësirës urbane brenda vijës bregdetare të qytetit të Vlorës, e njohur si Lungomare. Projekti po e shndërron shëtitoren në një zonë këmbësore dhe një destinacion për turistët. Punimet vazhdojnë me intensitet për riorganizimin e plotë të shëtitores, sheshet dhe hapësirat publike, platformës sportive, përmirësimin dhe rehabilitimin e rrugës së bregut dhe parkimeve.

Kryeministri Edi Rama ishte në nënstacionin e Rradhimës, i shoqëruar nga Ministri i Energjetikes Gjiknuri dhe Administratori i Përgjithshëm i OSHEE Ardian Çela.

Nënstacioni i Radhimës, prodhim i vjetër i vitit 1971 dhe në gjendje tepër të rënduar, ishte ndër më problematikët në cilësinë e furnizimit me energji elektrike, në zonat turistike të Orikumit, Radhimës dhe fshatrat përreth saj si dhe Llogoranë, Bazën e Pashalimanit.

Sot, ky nënstacion, nyje kritike në sistemin e shpërndarjes është tërësisht i rikonstruktuar, falë një investimi prej 60 milion lekësh të reja. Investimi ka bërë të mundur vendosjen e një transformatori të ri 35/10 KV me fuqi 10MVA me nivele tensioni të rregullueshme, me një rritje dyfish kapacitet si pasojë e rritjes së kërkesave për konsum me energji elektrike sidomos në sezonin veror. Janë vendosur 5 çela të reja, prodhim i 2016-s, të cilat jo vetëm që garantojnë sigurinë maksimale të punonjësve gjatë kryerjes së operacioneve në punë, por rrisin njëkohësisht cilësinë e furnizimit me energji elektrike.

Paralelisht me Nënstacionin u rikonstrutuan linjat 35 kV të implementuara në vitet ’70. Investimi për linjat Vlorë – Skelë – Ujë i Ftohtë – Rradhimë – Orikum arriti në një vlerë prej 65 milionë lekësh të reja.

Duke vizituar nënstacionin e vjetër, Çela tha se investimet nuk do të ndalen edhe në fshatra të tjera të zonës, duke mundësuar zëvendësimin e infrastrukturave energjitike të rënduara, me standarde të reja. Ai gjithashtu u shpreh se linja e re e vënë në përdorim gjatë sezonit turistik të kaluar, bëri që për herë të parë të mos përjetohej një situatë problematike në furnizimin me energji elektrike.

“Eshtë investim i vitit 1971, duket në çfarë situate është. Kemi investuar 60 milionë lekë të reja, me të ardhura të kompanisë, ku kemi fuqizuar transformatorin dhe kemi fuqizuar 5 çela të reja automatike. Këto investime janë me fondet e kompanisë, për linjën 35 kË dhe kjo është faza e parë.”

Për transformatorin e ri të vënë në përdorim, Çela shpjegoi se garanton cilësinë e furnizimit dhe ul numrin e defekteve “Ky është investim i ri dhe transformatori i ri i fuqizuar që kemi vënë jashtë ,në të cilin kem i dhe një çelës rezervë që kur ka defekt njëri nga këta që furnizohet, kalohet te çela rezervë, pra, garanton cilësinë e furnizimit dhe ulet numri i defekteve.”

Për Kryeministrin Rama kapërcimet epokale në teknologji janë rezultat i reformës në energji.

Kryeministri u shpreh se kontributet e konsumatorëve, po kthehen në investime për ta.” Të gjitha këto kapërcime epokale në teknologji janë rezultat i reformës në energji. Të gjitha këto janë kontribute të konsumatorëve që po kthehen në investime. Të gjitha këto investime do të garantojnë shërbimin cilësor me energji elektrike në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe ripërtëritjen e një rrjeti që në 85 % të tij është i moshës së elektrifikimit.”

Kryeministri Rama inspektoi edhe nënstacionin e ri në Dhërmi.

Për herë të parë në Dhërmi, në zonën më të frekuentuar turistike, është instaluar nënstacioni i ri energjetik 35/20/10kV, i cili i jep zgjidhje problemeve të shumta të furnizimit me energji për këtë zonë. Investimi me vlerë prej 140 milion lekësh u bë mbi një infrastrukturë (shtylla e përcjellës) të paprekur që prej vitit 1967. Nënstacioni garanton furnizimin me energji elektrike zonën e Palasës dhe të Dhërmiut.

“Investimin që kemi bërë në nënstacionin e ri në Dhërmi, për të garantuar furnizimin për zonën e Palasës dhe të Dhërmiut duke parë dhe në fokusin e investimeve të reja turistike që nisin në gjithë këtë zonë dhe rritet ngarkesa. Flasim për një linjë që ka qenë, kur kemi bërë investimin, kemi parë shtylla dhe përcjellës të vitit 1967. Pra, ishin të paprekura që nga viti 1967. Kemi bërë këtë investim që është 140 milion lekë të reja nga të ardhurat e kompanisë”, u shpreh Administratori i Përgjithshëm i OSHEE Çela.

Gjithashtu kryeministri inspektoi edhe nënstacionin e levizshëm në Himarë.

Për herë të parë, pas 25 vitesh Himara garantoi një sezon të suksesshëm turistik (2016) në furnizimin me energji elektrike. Kjo falë nënstacionit të ri dhe modern, të lëvizshëm, i montuar aktualisht në Himarë, investim me vlerë 200 milion lekë. Nënstacioni furnizon qytetin e Himarës, Qeparoin dhe zonën Dhërmi-Palasë.

Njëkohësisht me nënstacionin ka përfunduar edhe ndërtimi i linjës me nivele 35 dhe 20 kV nga Himara në Dhërmi (13 km me 45 shtylla), me vlerë investimi prej 247 milionë lekë.

Kryeministri Rama ishte për të parë nënstacionin së bashku me ministrin Gjiknuri dhe Administratorin e Përgjithshëm të OSHEE Ardian Cela.

Çela shpjegoi se nënstacioni i lëvizshëm, (portabël) është implementuar për herë të parë në Shqipëri dhe përbën një teknologji moderne.

“Këtu jemi për të inspektuar nënstacionin mobile që është implementuar për herë të parë në Shqipëri, është një teknologji e avancuar. Do ta vazhdojmë këtë lloj investimi që në zonat problematike mund të vendosim nënstacione të tilla, sepse kemi prokuruar 3 nënstacione të tilla dhe në zonën e Fushë-Krujës dhe në zona të tjera të Shqipërisë. Nënstacioni i ri që fillon investimi 10-20 kilovolt do të jetë më i madh dhe do ta spostojmë këtë nënstacion në një zonë tjetër problematike.”

Kryeministri Edi Rama inspektoi kantieret e punës së Rilindjes Urbane në Sarandë dhe u takua me zbatues të projektit.

Një kompleks muzeal dhe turistik që lidhet përmes Rrugës së Flamurit me shëtitoren bregdetare do jetë në nisje të sezonit veror, pamja e re e qendrës së Sarandës. Në këtë hapësirë prej 6 mijë m2, ku ndodhen godinat administrative, kompleksi muzeal e galeria e artit, ka nisur projekti për rikonceptimin urban të saj dhe kthimin në pedonale të Rrugës së Flamurit. Projekti rreth 103 milionë lekë përfshin edhe restaurimin e fasadave të ndërtesave, gjelbërimin, ndriçimin dekorativ e funksional të rrugës. Për të ndërlidhur të gjitha hapësirat në zonë, sheshe, trotuare, lulishte, do bëhet shtrimi i sipërfaqes me pllaka guri dekorativ.

Rivitalizimi urban i kësaj hapësire i jep më shumë dinamizëm qytetit, i cili mbi trefishohet gjatë sezonit veror, por edhe më shumë mundësi për 80 bizneset e vendosura në qendër.

“Është një investim shumë i fuqishëm për qytetin, që na leverdis e na shërben,” – tha një prej drejtuesve lokalë.

 “Kjo hapësirë ishte një tmerr. Tani transformohet në një rrugë qytetare, turistike me gurë dhe lidhet me pjesën poshtë të shëtitores, e cila edhe ajo ka nevojë për ca ndërhyrje, sepse edhe kur është bërë, është bërë shkel e shko. I gjithë ky kompleks futet në një tjetër cilësi dhe i jep shumë më tepër dinamizëm qytetit, sidomos në periudhën e turizmit”, u shpreh Kryeministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat