Kultivimi i kanabisit, Rama: Çdo polic do të monitorojë 1 parcelë

Shqipëria

Kultivimi i kanabisit, Rama: Çdo polic do të monitorojë 1 parcelë

Më: 4 mars 2017 Në ora: 11:29
Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri

Kryeministri Edi Rama prezantoi dje strategjinë e re për parandalimin e kultivimit të kanabisit. Personat përgjegjës do përgjigjen personalisht, nëse parcelat do të konstatohen të mbjella dhe droga do të jetë kultivuar në këto parcela.

Çdo punonjës policie dhe punonjës i SHISH do të ketë në varësi një parcelë, nëse konstatohet mbjellje të hashashit do të luajë me kokën e tij. Ky ka qenë kërcënimi i kryeministrit Edi Rama ndaj punonjësve të policisë në paraqitjen e strategjisë së luftës kundër lëndëve narkotike. “Sot kemi një pamje të qartë të hartës së të gjitha parcelave të mbjella dhe të fotografuara gjatë viteve. Është shumë e thjeshtë. Çdo parcelë do ketë persona përgjegjës nga Policia e Shtetit, nga komuniteti, nga agjencitë e tjera ligjzbatuese, ku edhe Shërbimi Informativ Kombëtar do të luajë padiskutim rolin e vet. Personat përgjegjës do të përgjigjen në kohë reale për çka ndodh me parcelën apo parcelat që kanë nën mbikëqyrje. Në kohë reale, Policia e Shtetit dhe trupat e saj do të mund të reagojnë për ta shkatërruar në gjenezë çdo përpjekje për lartësimin deri mbi hijen time të bimëve e për sistemet e ujitjes, për korrjet, shirjet e për të gjitha këto.

Personat përgjegjës do përgjigjen personalisht, nëse parcelat do të konstatohen të mbjella dhe droga do të jetë kultivuar në këto parcela. Nuk do të jenë më pjesë e Policisë së Shtetit, nuk do të jenë më pjesë e strukturave shtetërore të përfshira në këtë operacion dhe do të jetë një çështje e prokurorisë dhe gjykatës, nëse fakti që ata nuk dhanë informacion vinte nga padijenia, apo nga bashkëpunimi me kriminelët”, tha kryeministri në fjalimin e tij në takimin me drejtuesit e Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme e SHISH. Përveç Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, SHISH e Prokurorisë, në luftën kundër kanabisit do të angazhohen edhe një sërë institucionesh të tjera.

“Kemi një Plan të ri Kombëtar për të finalizuar luftën kundër kanabisit. Një plan veprimi që synon futjen në një fazë të re dhe nxitjen institucionale në bashkëpunim. Plan transparent ku çdo institucion, jo vetëm ka kontribuar por do të marrë pjesën e vet të përgjegjësisë, ashtu sikundër dhe partnerët tanë ndërkombëtarë do të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë”, është shprehur kryeministri Rama gjatë fjalës së tij. Më tej, ai është shprehur se policia ka të fotografuar tashmë çdo zonë ku mbillet e mund të mbillet kanabis dhe për këtë ka caktuar personat përgjegjës. Sipas Ramës, “deri tani janë kryer 4200 kontrolle parandaluese në të gjithë territorin. Janë kontrolluar 2800 sera për të mundur të parandalohet kultivimi që në fazën e parë, përpara sesa fara apo fidani të mbillet në parcelë. Janë kontrolluar dhe vazhdojnë të kontrollohen çdo ditë, magazina, tunele. Janë 4200 punonjës policie që vazhdojnë bëjnë këtë punë”.

Tahiri: Këtë vit do fitojmë luftën me drogën  

Gjatë takimit të djeshëm, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, tha se askush nuk fliste dhe nuk dukej i shqetësuar për kanabisin dhe se trafikantët vepronin në qetësi e paqe gjatë qeverisjes së kaluar. Duke folur dje në aktivitetin mbi strategjinë e luftës antikanabis, ai tha se të gjithë janë të shqetësuar se Policia e Shtetit i vuri gishtin problemit dhe nisi ta zgjidhë. “Lufta jonë kundër kanabisit duket se u hapi sytë dhe kuptuan se e paska vendi një problem. Të jesh në vendin tim duket sikur është më mirë të mos bësh asgjë, të flesh gjumë në zyrë, siç bënë ministrat e mëparshëm dhe shpëton nga akuzat. Ndërsa ne që po luftojmë akuzohemi. Rezultatet tona dhe Guardia Di Finanza kundër drogës janë akuza kundër nesh”, u shpreh Tahiri. Sipas tij, të shkatërrosh pak je i mirë dhe të mos shkatërrosh fare, sipas tij është edhe më mirë.

“Po na thonë ikni se po luftoni shumë, këtë idiotësi e bëjnë ata që dje ishin në qeveri. Luftën me kanabisin padiskutim do e fitojmë, siç fituam në Lazarat vitin e parë, këtë vit ne do e fitojmë në çdo centimetër luftën me kanabisin”, shtoi më tej ai. Ministri tha se nuk është i kënaqur me çfarë është bërë deri më sot, por se deri në ditën e fundit të detyrës do punohet. Ai u zotua se këtë vit do fitohet lufta me drogën, siç sipas tij do fitohet edhe ndaj atyre që mbajnë peng drejtësinë.  

Shpërblimi 300 mijë lekësh Në kuadër të parandalimit, zbulimit, dokumentimit ligjor dhe goditjes së veprimtarisë së kundërligjshme të kultivimit të bimëve narkotike, SHÇBA në Ministrinë e Punëve të Brendshme i bashkohet përpjekjes së institucioneve ligjzbatuese. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat vë në dispozicion të publikut numrin e linjës së gjelbër 0800 90 90, për çdo informacion mbi rastet e implikimit apo favorizimit të kësaj veprimtarie të kundërligjshme nga punonjës policie dhe jo vetëm. Për çdo shtetas që do të ofrojë informacion të vlefshëm është vënë në dispozicion një fond shpërblimi, i cili për nga rëndësia dhe vërtetësia e informacionit do të shkojë deri në 30 mijë lekë.

SHÇBA garanton ruajtjen e anonimatit për çdo të dhënë apo informacion. Shërbimi ka ngritur gjithashtu një grup të posaçëm pune, që do të trajtojë dhe shqyrtojë të gjitha të dhënat apo informacionet që do të ofrojnë shtetasit nëpërmjet këtij numri, duke nisur nga trafikimi i farës së kanabisit, grupet kriminale që merren me shpërndarjen e narkotikëve, informacion mbi personat që do të tentojnë kultivimin e bimës narkotike etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat