Basha i përgjigjet Ramës, shton një akuzë të re: Pastrim të parave të pista

Shqipëria

Basha i përgjigjet Ramës, shton një akuzë të re: Pastrim të parave të pista

Më: 5 mars 2017 Në ora: 19:29
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, deklarohet i vendosur në kërkesën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Nga çadra e protestës, Basha i është përgjigjur ftesës së bërë nga kryeministri Rama pasditen e te dieles, për dialog dhe për t’u dhënë zgjidhje atyre “pikave që janë realiste”. Basha thotë se opozita dhe protestuesit janë të vendosur në kërkesat e tyre, duke u shprehur se alternativa e vetme është largimi Edi Ramës.

Kryetari i PD, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Rama për pastrim të parave të pista. Sipas tij, Rama ka përfshirë familjarët e tij në transaksione të dyshimta.

“Pas hakmarrjes politike fshihet diçka më e madhe. Rama pasi i hapi dyert krimit, ka marrë një mision kombëtar e ndërkombëtar për pastrimin e parave. Ka përfshirë familjarët e tij në një bankë që është e dyshuar për transaksione të dyshimta për pastrimin e parave.

Përpjekja jonë do të jetë edhe që të vendosen gjoba të majme për kompanitë e sigurimeve, para zgjedhjeve të ndershme, nëse i lejojnë këto lëvizje kriminale. Ka rënë parlamenti. Është një parlament i krimit. Dekriminalizimi nuk zbatohet. Kanë rënë bashkitë e vendit. Ka rënë pushteti i tretë, media, e cila ndodhet në një presion të jashtëzakonshëm pikërisht se duhet t’i shërbejë shtetit të krimit drogës dhe narkotrafikut, dhe tani paska mbetur një institucion pa kapur që është Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe ky do jetë hapi i ardhshëm i Edi Ramës nesër në orën 10:00.

Vendimi i qytetarëve shqiptarë është i vetmi i drejtë.

Rama mbuloi Shqipërinë me drogë, u dha mbështetje kriminelëve, i nxori kriminelët nga burgu, e tani kërkon ta shndërrojë këtë vend në një republikë të pastrimit të parave të pista të krimit e politikanëve. Shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë që institucioni i zgjedhjeve të lira e të ndershme të janë viktima e radhës e krimit në këtë vend. Alternativa e vetme është largimi i Ramës. Qeveria e narkotrafikut dhe e bandave do largohet me çdo kusht. Alternativa e vetme, e vetme e përsëris, është largimi i Edi Ramës. Republika e vjetër do marrë fund me largimin e tutorit të krimit drogës dhe parave të pista, dhe do t’i hapë rrugën një republike të re për qytetarët dhe me qytetarët”, tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat