Droga po trondit ekonominë. FMN: leku është 15% më i fortë nga ç’duhet të ishte

Shqipëria

Droga po trondit ekonominë. FMN: leku është 15% më i fortë nga ç’duhet të ishte

Më: 6 mars 2017 Në ora: 23:23
Fondi Monetar Ndërkombëtar

Kanabizimi masiv i vendit po trondit ekuilibrat makroekonomik të vendit. Alarmin e lëshon institucioni më prestigjoz financiar në botë, Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në analizën e fundit të hollësishme mbi ekonominë shqiptare FMN shprehet e habitur nga forcimi i beftë i Lekut, që sipas saj nuk mund të shpjegohet me shkaqe ekonomike.

“Në raportin e fundit në Maj të vitit 2016 ne konkluduam se kursi i këmbimit ishte i mbivlerësuar të paktën me 10 për qind. Që nga ajo kohë ai është forcuar edhe me 4 për qind të tjera,”- deklaron FMN.  

Forcimi i pashpjegueshëm i Lekut është duke goditur konkurrueshmërinë e ekonomisë kombëtare duke dëmtuar eksportin por edhe rritjen e produktivitetit.

Kryeprokurori italian Franco Roberti deklaroi pak ditë më parë në Tiranës se gjatë vitit 2016 trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Italisë është trefishuar duke shprehur shqetësimin se të ardhurat nga ky aktivitet mund të shkojnë për të financuar terrorizmin. Por veç ushqimit të krimit, droga tani është duke goditur edhe zemrën e ekonomisë, eksportet edhe konkurrueshmërinë e saj në arenën ndërkombëtare. 

Dëmi i madh i drogës

Sipas Institutit të Statistikave, Shqipëria eksporton mesatarisht 2 miliardë dollar mallra në pjesën tjetër të botës. Pjesa dërrmuese e eksporteve shqiptare, mbi 70 për qind e tyre shkon në tregjet e Bashkimit Europian. Kompanitë eksportuese i shesin produktet në euro, por kostot i kanë në lekë.

Kjo bën që forcimi i paarsyeshëm i lekut ndaj euros të ulë të ardhurat e tyre duke i bërë eksportet shqiptare më të kushtueshme dhe më pak tërheqëse në tregjet europiane.  

Gjatë vitit të kaluar euro u dobësua mesatarsisht me 2 për qind ndaj Lekut duke u kuotuar mesatarisht me 137.4 lekë nga rreth 140 lekë që këmbehej në 2015-ën.

“Vetëm si pasojë e këtij ndryshimi në kursin e këmbimit ekonomia shqiptare ka humbur të paktën 30 milionë euro,” deklaron Alban Zusi, i Shoqatës Shqiptare të Eksportuesve.

Por humbjet po vazhdojnë të thellohen pasi leku është forcuar edhe më shumë ndaj Euros gjatë muajve të fundit duke zbritur në kuotën 136 lekë. Ky faktor i shtohet dobësive të tjera të ekonomisë shqiptare.

“Konkurrueshmëria e përgjithshme e Shqipërisë dëmtohet edhe nga dobësitë strukturore, të cilat kanë përkeqësuar investimet dhe kanë vështirësuar rritjen e produktivitetit,”- vëren FMN.

Tashmë kultivimi i drogës nuk është më vetëm një problem kriminal, por ai po trondit themelet makroekonomike të vendit duke rrezikuar të shkaktojë dëme të pariparueshme për ekonominë kombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat