Basha pret misionin e OSBE/ODIHR-t: Qeveria teknike, e vetmja rrugë për zgjedhje të lira

Shqipëria

Basha pret misionin e OSBE/ODIHR-t: Qeveria teknike, e vetmja rrugë për zgjedhje të lira

Më: 8 mars 2017 Në ora: 12:58
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti të mërkurën misionin vëzhgues të OSBE/ODIHR-t, që ndodhet në Tiranë për të analizuar situatën para zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.

Gjatë takimit, Basha i bëri të ditur vezhguesve ndërkombetare se e vetmja rrugë për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme është që ato të mbahen nga një qeveri teknike, e cila do të fokusohet në zbatimin e dekriminalizimit, në luftën kundër drogës, krimit, dhe parave të trafikut të paligjshëm.

Kryetari i PD-së i njohu vëzhguesit me shqetësimet e opozitës që kanë të bëjnë me rrezikun real që i kanoset zgjedhjeve dhe votës se lirë. Zgjedhjet janë në rrezik nga qeveria, tha Basha, e cila nuk zbaton dekriminalizimin dhe vazhdon të ndajë pushtetin me kriminelë dhe banditë të njohur. Po ashtu, zgjedhjet janë në rrezik nga droga, tha ai, që ka mbuluar vendin dhe nga paratë e këtij trafiku që arrijnë në disa miliardë euro në vit.

Kreu i PD-së e konsideroi krimin një kërcënim për zgjedhjet e lira e të ndershme. Qeveria nuk ka reflektuar pas rekomandimeve të fundit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e vitit 2015, të cilat ishin një hap i madh pas në drejtim të standardeve demokratike, u shpreh Basha.

Kryetari i opozitës vuri në dukje se Edi Rama ka prishur të gjitha zgjedhjet që janë bërë qysh se ai erdhi në pushtet duke dhunuar votën e lirë, përmes blerjes së saj, apo përmes kërcënimit e dhunës.

Gjithashtu, Basha theksoi se KQZ ka treguar anshmëri duke i bërë rezistencë ligjit të dekriminalizimit dhe duke mbrojtur hapur interesat e kryeministrit. Gjithashtu, kryetari i PD-se u ankua dhe per Kolegjin Zgjedhor qe sipas tij “është një institucion nën presion për shkak të kërcënimeve që i bën qeveria gjyqësorit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat