Mangësi kandidatësh edhe për KLGJ dhe KLP, rihapet gara

Shqipëria

Mangësi kandidatësh edhe për KLGJ dhe KLP, rihapet gara

Më: 10 mars 2017 Në ora: 10:17
Ilustrim

Përveç komisioneve të Vettingut, edhe dy institucione të tjera të rëndësishme të reformës në drejtësi, si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, po hasin në vështirësinë e numrit të pamjaftueshëm të kandidatëve për ngritjen e tyre.

Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla, kërkon rihapjen e garës. Përmes një shkrese zyrtare ajo ka vënë në dijeni edhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta për këtë problematikë që rrezikon të thellojë dhe më ngërçin me Reformën në Drejtësi.  Problemi qëndron te kandidatët jo gjyqtarë dhe jo prokurorë që duhet të bëhen pjesë e këtyre institucioneve, të cilët duhet të vijnë nga radhët e pedagogëve të drejtësisë. Në Kuvend kanë mbërritur 6 kandidatë për KLGJ-në dhe 5 kandidatë për KLP-në. Por ky numër, është dukshëm më i vogël nga ai që kërkon ligji e Kushtetuta. 

Konkretisht 7 kandidatë nga institucionet publike të arsimit të lartë ose Shkolla e Magjistraturës dhe 3 nga institucionet jo publike të arsimit të lartë. Për këtë arsye Shtylla thekson se duhet të rihapen aplikimet, propozim që në letër thuhet se ka gjetur dhe mbështetjen e EURALIUS. Gjatë kësaj të enjte Avokati i Popullit njoftoi mbledhjen e komisionit Ad Hoc që do të bëjë verifikimin e kandidatëve për KLGJ dhe KLP. Por ky hap i Kuvendit duket se e anulon këtë procedurë të paktën për momentin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat