BB i ndan Shqipërisë 100 milionë dollarë kredi

Shqipëria

BB i ndan Shqipërisë 100 milionë dollarë kredi

Më: 14 mars 2017 Në ora: 16:43
Banka Botërore

Banka Botërore të martën ka bërë të ditur se kredia prej 100 milionë dollarë jepet si mbështetje buxhetore, pasi Shqipëria përmbushi 10 kushte për fuqizimin e sistemit financiar.

Sipas këtij institucioni, këto masa do të krijojnë mjedisin e duhur që institucionet bankare dhe jo bankare të zgjerojnë kreditimin ndaj sektorit privat, e kjo si rrjedhojë do të jetë një shtysë për rritjen ekonomike.

Pjesë e kushteve ishin miratimi i ligjit të ri për falimentin, atij për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka si dhe ndryshimet në kodin e procedurave civile. Këto masa pritet të ulin më tej kreditë e këqija dhe shmangin krizat e mundshme bankare. 

BB konsideron se këto reforma sjellin përfitime afatgjata për bizneset dhe veprimtarinë e kreditimit, ndërsa forcimi i sistemit financiar është kritik, për të ulur rreziqet për ekonominë, por edhe për të mbështetur rritjen e shpejtë të saj. 

Ndryshe, pjesë e kushteve për të fituar kredinë e re kanë qenë edhe miratimi i ligjeve që forcojnë mbikëqyrjen e fondeve të investimeve për të garantuar kursimet e qytetarëve, por edhe disiplinimi i shoqërive të kursim kreditit, të cilat nga 140 që ishin janë reduktuar në më pak se 20 duke u bërë më të sigurta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat