Pritet shkarkimi i drejtoreshës së AMF-së

Shqipëria

Pritet shkarkimi i drejtoreshës së AMF-së

Më: 16 mars 2017 Në ora: 08:43
Enkelejda Shehi

Rendi i ditës i seancës së sotme të Kuvendit të Shqipërisë, parashikon shkarkimin e drejtoreshës Ekzekutive të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Enkelejda Shehi.

Pr/vendimi për shkarkimin e saj u miratua një javë më parë nga komisioni i Ekonomisë, me votat e deputetëve të Partisë Socialiste, ndërkohë që deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim votuan kundër. Lirimi nga detyra i drejtores Shehi u kërkua nga bordi i AMF-së me argumentin për shkelje të ligjit dhe mosplotësimin e rekomandimeve të caktuara në rezolutën e miratuar nga Kuvendi në dhjetor 2016.

Seanca e sotme ka gjithashtu në rend dite dhe diskutimin e disa pr/ligjeve si ai “Për produktet kozmetike”, disa ndryshime në “Kodin e Procedurës Civile” dhe në ligjin “Për nëpunësin civil”, etj.

Edhe sot punimet e parlamentit do të zhvillohen pa praninë e opozitës, e cila prej gati një muaji vijon protestën në çadrën e vendosur para selisë së kryeministrisë, me kërkesën për krijimin e një qeverie teknike që do të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat