Mesazhi i Tahirit për Ramën pas shkarkimit si ministër: Ti je..

Shqipëria

Mesazhi i Tahirit për Ramën pas shkarkimit si ministër: Ti je..

Më: 16 mars 2017 Në ora: 19:24
Edi Rama dhe Saimir Tahiri

Pas shkarkimit nga posti i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri i është kthyer detyrës së tij si kryetar i PS-së në Tiranë, ndërsa ka nisur punën në terren për zgjedhjet parlamentare. Gjatë një takimi me strukturat e selisë roze në kryeqytet, Tahiri shprehu falënderim dhe mirënjohje për mbështetjen që gjithë shqiptarët i dhanë pas largimit nga një ndër institucionet më të rëndësishme. Mes duartrokitjeve dhe ovacioneve të pjesëmarrësve në takim, Tahirit iu desh shpesh herë dhe të ndërpriste fjalën.

“Sado të mundohem dhe jam mundur jo pak më besoni, nuk arrij dot kurrë të gjej aq fjalë për të falënderuar secilin prej jush. Të rinj dhe të reja, burra dhe gra, të majtë dhe të djathtë, të gjithëve ju falenderoj. Të punosh ia vlen më shumë se sa të flesh gjithë ditën, të punosh ia vlen më shumë se sa të flasësh gjithë ditën. Të respektosh njerëzit e thjeshtë, ia vlen më shumë se sa të respektosh ekuilibrat e politikës së madhe që në ekuilibër mbajnë vetëm veten në pushtet duke çekuilibruar Shqipërinë. Kjo më tregoi se sado e madhe gënjeshtrat, llumi dhe akuzat, sado i madh sulmi nga fronti i së keqes, ne kemi sy, kemi mendje, kemi shpirt, kemi zemër për të parë të vërtetën dhe për të punuar. Këto më treguan mua se sa më e madhe pengesa, aq më e madhe fuqia për të punuar për Tiranën dhe Shqipërinë. Unë sot ua them me zemër, jam krenar për gjithçka që kemi arritur bashkë. Me sinqeritetin tim më të madh, mundësia ka qenë më e paktët sesa dëshira. Unë sot me shumë mirënjohje ju them faleminderit.

“E shkuara është futur në çadër dhe po thërret Shqipërinë për t’u futur në çadër. Llumi i çadrës nuk e zbeh besimin e qytetarëve te qeveria dhe Partia Socialiste. Ata duan të mbrojnë gjyqtaret dhe prokurorët e korruptuar. Ata do të marrin faturën më shembullore. E shkuara nuk do të kthehet pas. Krimi i tyre nuk do prishë paqen mes nesh. Shqipëria kurrë nuk do të kthehet pas.” tha Tahiri.

Nga ana tjetër, ai pohoi se Shqipëria nuk mund të kthehet pas në kohë, ndërsa pohoi se 18 qershori është dita kur do japin llogari ata që duan të bëjnë shtet dhe ata që e prishën atë.

“Shqipëria nuk mund të kthehet pas. Kjo nuk mund të ndodh më. Miqtë e mi, secili prej nesh e ka një histori të vështirë. Unë jam i fundit që dua ti vë syrin të gjithëve, por dhe i pari, dhe bashkë me ju, ne do jemi para. për të fituar çdo histori të shqiptarëve. Shqipëria nuk do kthehet mbrapa, s’do kthehet pas, sepse ne jemi këtu, socialistët janë këtu. (Turma brohoret Saimir Tahiri) Do t’i jap dorën kujt të mundem, do flas kur të mundem me të, për Shqipërinë. Ne jemi skuadër fituese në të gjithë Shqipërinë. Kemi kampion të skuadrës Edi Ramën. Jepni dorën njëri-tjetrit, dhe të gjithë bashkë të ngremë Tiranën dhe të ndërtojmë Shqipërinë që duam. Në 18 qershor ndahet varfëria nga mirëqenia. Në 18 qershor do të japin llogari ata që ndërtuan shtetin dhe ata që e shkatërruan.”, theksoi Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat