Biznesi kroat, interes për investime në Lezhë

Shqipëria

Biznesi kroat, interes për investime në Lezhë

Më: 16 mars 2017 Në ora: 23:24
Ambasadorja Bujas-Juraga zhvilloi sot një takim në Bashkinë e Lezhës

Ambasadorja e Kroacisë në Shqipëri, Sanja Bujas-Juraga zhvilloi sot një takim në Bashkinë e Lezhës, ku diskutoi për mundësitë e bashkëpunimit në disa fusha.

Gjatë vizitës në Lezhë diplomatja kroate shoqërohej nga përfaqësues të biznesit si dhe deputetja shqiptare e parlamentit kroat, Ermina Lekaj Përlaskaj. Në fokus të takimit me kryetarin e bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, ishte rritja e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona si dhe mundësitë për shtimin e prezencës kroate në Shqipëri, kryesisht për zonën bregdetare.

Për ambasadoren Juraga, Lezha është një mundësi e mirë për të bashkëpunuar në fusha që për ta janë prioritare si agroturizëm, agroindustri, bujqësi dhe tregti. “Ne jemi dy popuj që mund të bashkëpunojmë ngushtë dhe të kemi marrëdhënie gjithnjë e më të konsoliduara mes nesh. Të dyja vendet tona kanë orientime të ngjashme, për të cilat mund të bashkëndajmë eksperiencën tonë si dhe të rrisin bashkëpunimet ndërmjet sektorëve respektivë. Lezha në veçanti përmbush më së miri pritshmëritë tona, ndaj edhe e kemi orientuar drejt Lezhës fokusin tonë për të rritur këtë bashkëpunim. Bujqësia, turizmi dhe kultura janë disa prej drejtimeve që besoj se prezantojnë edhe interesat e bizneseve të dy vendeve tona për të bashkëpunuar, ndaj edhe në vizitën time shoqërohem nga përfaqësues të biznesit, ndërsa kam në krah edhe mbrojtësen e interesave të dy vendeve tona siç është zonja Përlaskaj, që është edhe deputetja e parë shqiptare në parlamentin kroat”, tha ambasadorja kroate.

Kryebashkiaku Fran Frrokaj bëri një prezantim të përgjithshëm të qytetit dhe të Bashkisë Lezhë, duke theksuar zhvillimin e vrullshëm që ka pësuar sektori i turizmit, kryesisht në zonën bregdetare të Shëngjinit.

Gjithashtu, ai e ftoi ambasadoren kroate për të shtrirë bashkëpunimin dypalësh në shumë fusha, duke theksuar se kjo njësi vendore ka një pozicion strategjik përsa i përket zhvillimit të aktivitetit privat, duke qenë një nyje lidhëse mes kryeqytetit dhe veriut të vendit, shumë pranë aeroportit të Rinasit dhe pranë aksit kryesor që lidhet me Kosovën dhe pjesën veriore të Gadishullit Ballkanik.

Frrokaj e siguroi ambasadoren Juraga se stafi i bashkisë do të jetë në gatishmëri për të bashkëvepruar në interesin dypalësh, ndërsa nga ana tjetër, ftoi sektorin privat kroat që të jetë më i pranishëm në Lezhë.

Në takimin që ambasadorja kroate Sanja Bujas-Juraga zhvilloi me kreun e bashkisë Lezhë u ra dakort që bashkëpunimi të thellohet me hartimin e programeve të bashkëpunimit në disa fusha të ndryshme, si edhe u shfaq interesi i përbashkët për binjakëzimin e bashkisë Lezhë më bashkinë Zare në Kroaci, ku jeton edhe komuniteti më i madh shqiptar. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat