Basha vazhdon protestën duke kërkuar qeveri teknike

Shqipëria

Basha vazhdon protestën duke kërkuar qeveri teknike

Më: 18 mars 2017 Në ora: 09:33
Lulzim Basha

Bashkë me përfaqësues të të përndjekurve politikë, kreu i opozitës Lulzim Basha i bëri thirrje kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, të tërhiqet dhe të mos pranojë marrjen e postit të ministrit të Brendshëm.

Për të treguar vendosmërinë e opozitës kundër këtij emërimi, Lulzim Basha përdori një gjuhë të fortë.

“Le të zotohemi bashkë se Fatmir Xhafaj nuk do ta kalojë pragun e Ministrisë së Brendshme, përveçse mbi trupat tanë”, deklaroi kryeopozitari.

Kreu i opozitës e bëri këtë deklaratë, pasi ambasadori Donald Lu tregoi pritshmërinë e Shteteve të Bashkuara nga ministri i ri i Brendshëm për të luftuar në mënyrë aktive krimin e organizuar, ndërsa vendi përgatitet për zgjedhje.

“Ndokush që nuk e njeh mirë historinë e Shqipërisë, mund edhe ta pandehë për ‘qingj’, por shqiptarët e dinë se ka qenë dhe është ujk i vjetër i diktaturës dhe i narkotrafikut”, deklaroi më tej Basha.

Pavarësisht fokusimit te çështja “Xhafaj”, kreu i opozitës nuk anashkaloi kërkesën kryesore të protestës: qeverinë teknike. Madje, as kur u pyet nga gazetarët për deklaratën e tij që la hapur mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve.

“Kushti ultimativ, ultimatumi i qytetarëve shqiptarë mbetet qeveria teknike. Nëqoftëse në kuadër të detyrave që qeveria teknike duhet të bëjë për të siguruar standardet kërkohet shtyrja e zgjedhjeve, absolutisht që PD-ja nuk do të jetë kundër kësaj. Por mos e hiqni vëmendjen nga kushti i vetëm: qeveri teknike me mbështetje të gjerë”, tha Basha.

Kreu i PD komentoi gjatë pasdites edhe raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, duke cilësuar atë si dëshmi të akuzave 3-vjeçare të opozitës.

“Sot kemi parë raportin e DASH, i cili e ka rifutur Shqipërinë në listën e zezë të vendeve që pastrojnë paratë e krimit, aty thuhet hapur se Shqipëria është vend kryesor i trafikimit të drogës. Raporti i DASH është fjala zyrtare e Amerikës dhe në të thuhet qartë se korrupsioni në Shqipëri është galopant. Kjo nuk është thjesht dhe vetëm një dëshmi më shumë e betejës e kauzës sonë 3-vjeçare si opozitë dhe një thirrje ndaj shkaktarëve që ti vënë gishtin kokës dhe qytetarëve që s’do ulen deri në fitoren e kësaj kauze”, tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat