OSBE-ja nis trajnimin e forcave të policisë për zgjedhjet e 18 qershorit

Shqipëria

OSBE-ja nis trajnimin e forcave të policisë për zgjedhjet e 18 qershorit

Më: 20 mars 2017 Në ora: 09:52
Ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt gjatë takimit me kreun e Policisë Çako dhe me kreun e KQZ-së, Biba

(E plotësuar) - Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorinë e Përgjithshme, nisën sot trajnimin e rreth 6 500 forcave të policisë, që do të kujdesen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve kuvendore të 18 qershorit.

Trajnimi për rolin e policisë në zgjedhje fillon sot me drejtuesit e nivelit të lartë e të mesëm. 

Më pas, do të bëhet trajnimi i trajnuesve, të cilët, deri në fillim të muajit maj, do t’i kalojnë njohuritë e të tyre te të gjitha strukturat policore që do të përfshihen në zgjedhje. 

Prezenca e OSBE-së ka organizuar trajnime të tilla prej vitit 2005.  

“Zgjedhjet e këtij viti do të jenë një pikë e rëndësishme për konsolidimin e demokracisë dhe performanca e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor do të jetë një përbërës thelbësor i zgjedhjeve të suksesshme”, tha kryetari i prezencës së OSBE-së, ambasadori Bernd Borchardt, sot, në hapje të trajnimeve.

 Borchardt tha se zgjedhjet e vitit 2007 qenë të parat ku u shënua mospërfshirja politike e policisë në zgjedhje dhe se raportet e OSBE/ODIHR-it që atëherë kanë folur për një rol pozitiv të policisë në të gjithë procesin zgjedhor.

 Borchardt shprehu besimin se Policia e Shtetit do të jetë e pavarur gjatë zgjedhjeve të këtij viti dhe do të veprojë me profesionalizëm dhe dinjitet.   

“Megjithëse këto zgjedhje janë një ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë, policia duhet të vijojë edhe punën e përditshme, si luftën kundër kërcënimeve transnacionale dhe krimit të organizuar, veçanërisht luftën kundër kanabisit”, shtoi Borchardt

OSBE: Policia të luftojë kanabisin e të jetë e paanshme në zgjedhje

Ambasadori i  OSBE-së Bernd Borchardt deklaroi gjatë një takimi me kreun e Policisë Haki Çako dhe me  kreun e KQZ-së, Denar Biba, se beson se Policia e Shtetit në këto zgjedhje do të jetë e paanshme dhe se do të vazhdojë luftën kundër kanabisit.

“Më pak se tre muaj zgjedhje, gur themeli për demokracinë. Kemi bërë shumë progres në proceset zgjedhore. Besoj se në këto zgjedhje, Policia do të jetë e paanshme”, tha Borchardt. Kreu i KQZ-së, Denar Biba, sugjeroi se zgjedhjet shkojnë më mirë kur Policia nuk duket shumë.

Ndërsa kreu i Policisë, Çako, tha se do respektojë standardet. Ndërkaq ka nisur edhe trajnimi i punonjësve të Policisë së Shtetit, organizuar nga KQZ-ja dhe OSBE-ja, për ruajtjen e zgjedhjeve të 17 qershorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat