Veliaj: 10 mijë të punësuar...shumica prej tyre nga zyrat e punës - Bota Sot
Veliaj: 10 mijë të punësuar...shumica prej tyre nga zyrat e punës

Shqipëria

E mërkurë, 29 mars 2017

Veliaj: 10 mijë të punësuar...shumica prej tyre nga zyrat e punës

Më: 20 mars 2017 Në ora: 11:55
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj

U nënshkrua sot Pakti Kombëtar i Mirëqenies Sociale i cili bën bashkë për herë të parë të gjithë partnerët që veprojnë në fushën sociale duke synuar ngritjen e një sistemi të integruar përkujdesi shoqëror koherent dhe të qëndrueshëm duke koordinuar angazhimet dhe unifikuar politikat, buxhetet dhe kapacitetet në Nivel Kombëtar.

I pranishëm në Konferencën Kombëtare “Impakti i Mirëqenies sociale-Për një shoqëri që siguron shërbime sociale për çdo qytetar”, ishte dhe kryeministri Rama, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, Ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi si dhe ambasadorët e vendeve mbështetëse të reformës së shërbimeve.

Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj vlerësoi reformën e ndërmarrë gjatë këtyre viteve në shërbim të njerëzve në nevojë. Duke u ndalur  te punësimi, Veliaj theksoi se ndryshe nga qeverisja e shkuar ku zyrat e punës ishin selitë e partive politike, tashmë ato janë  funksionale dhe në shërbim të atyre që vërtet kanë nevojë. “Zyra e punës në Shqipëri ishte zyra e punës e partisë në koalicion me seli të madhe në qendër të Tiranës, e partisë që të shpërblente me mënyrën se si ishe sjellë në fushatë , ishte një shaka e madhe të flisje për zyra pune. Zyrat e punës që unë gjeta ishin në fakt apartamente të marra me qira në shokët e ministrit. Ja ku jemi sot, Kemi të hapura sot 105 kantiere, rreth 10 mijë veta të punësuar shumica prej tyre nga zyrat e punës”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u bëri thirrje kolegëve të tij që drejtojnë njësitë vendore për të marrë një rol më të madh për administrimin e zyrave të punës. Veliaj theksoi se duhet të punohet me bizneset për të punësuar njerëz në bashkëpunim me zyrat e punës.

“Për ne si kryetar bashkish duhet të marrim një rol më të madh, nuk duhet të vazhdojmë prej qeverisë që të administrojë zyrat e punës. Ne vetë duhet të merremi më shumë së pari me kantieret që hapin vetë ku zyrat e punës duhet të jenë stacioni i parë dhe së dyti me të gjithë bizneset në zonë, që ne do ju japim gjithë mbështetjen, por ju duhet të vini të merrni njerëz nga zyrat e punës”, tha ai.

Kreu i Bashkisë komentoi dhe çështjen e shpërndarjes së dëmshpërblimit për ish të përndjekurit politikë, duke thënë se ndryshe nga qeverisja e djathtë që I harroi, qeverisja socialiste ishte ajo që pagoi shtatë këste.

“Sot diskutohet mbarimi i këstit të shtatë dhe fillimi i këstit të tetë. Unë besoj se në fund të ditës një njeri duhet të bëjë një balancë e të thotë ku ishim dhe ku jemi. Socialistët hapën dosjet dhe socialistët japin para. Besoj se i bën nder të parë besimi te solidariteti,një shtet social  që nuk i lë të dobëtit pavarësisht arsyeve politike apo historike që mund ta kenë sjellë situatën në atë nivel”, theksoi Veliaj.

Komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diele, cilin subjekt politik do ta votonit?
    test