Lyp për të blerë ilaçet e djalit, ja historia e 18-vjeçares me 3 fëmijë

Shqipëria

Lyp për të blerë ilaçet e djalit, ja historia e 18-vjeçares me 3 fëmijë

Më: 20 mars 2017 Në ora: 18:15
Ilustrim

Nxjerrja e fëmijëve nga situata e rrugës, duket si një sfidë që ende nuk i dihet se kur do të marrë zgjidhje përfundimtare.

Edhe pse heqja e të drejtës së prindërimit për prindërit abuzues është miratuar në Parlament sërish kryqëzimi i rrugës së Elbasanit, por jo vetëm, është plot me fëmijë.
 
Në disa raste janë të shoqëruar edhe nga prindërit e tyre. Ky është rasti i Manjolës, e cila edhe pse e di që rrezikon t'i marrin fëmijën, sërish shprehet se nuk ka mundësi tjetër mbijetese.

‘’Çfarë të bëjmë, nga zori dalim. Ku do shkojmë neve?’’-është shprehur Manjola. 

Manjola del kryqëzimin e rrugës së Elbasanit vetëm në fundjavë. Ajo shprehet se ka dalë të sigurojë medikamete për të voglin e saj 8 muajsh, pasi është sëmurë.

‘’Unë nuk dal shpesh se kam të voglin në shtëpi. Unë dal nga zori se e kam djalin e vogël të sëmurë, duhet t’i blej ilaçe, e kam me myk në gojë’’,-është shprehur Manjola. 

Manjola ka 3 fëmijë dhe është vetëm 18 vjeç, një fëmijë që ka 3 fëmijë.

‘’Kam edhe tre fëmijë të tjerë. Kam 4 vjeçe, 2 vjeçe dhe 8 muajsh’’, ka treguar Manjola. 

Të ardhurat në një ditë, sipas Manjolës shkojnë 600, 700 lekë në ditë.
 
Sigurisht të pamjaftueshme për t'u kujdesur për tre të vegjëlit e saj, edhe pse bashkëshorti punon në mblejdhjen e kanaçeve.

‘’Afërsisht 6-7 mijë lekë. Janë shtuar shumë lypësat’’,-tha Manjola.  
 
Manjola dëshiron të punojë në rrobaqepësi, por nga ana tjetër shprehet se duhet të kujdeset për fëmijët.

‘’Me thënë të drejtën kam fëmijët e vegjël edhe nuk mund të punoj. Rrobaqepëse kisha qef, por nuk mund t’i lë fëmijët vetëm’’,-është shprehur Manjola. 
 
Sipas një raporti të publikuar nga agjencia shtetërore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve thuhet se janë identifikuar në gjithë vendin 401 fëmijë dhe është bërë e mundur largimi nga situata e rrugës dhe marrja në mbrojtje e 177 fëmijëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat