Raporti për lumturinë, Shqipëria e fundit në rajon

Shqipëria

Raporti për lumturinë, Shqipëria e fundit në rajon

Më: 21 mars 2017 Në ora: 07:57
Ilustrim

20 marsi, dita e fundit e dimrit (sipas traditës, sepse për astronominë në 2017 dita e parë e pranverës është 20 marsi jo 21 marsi), është Dita Botërore e Lumturisë. 

Por shqiptarët kanë pak për t’u gëzuar: në klasifikimin ndërkombëtar të vendeve më të lumtura të listuar në raportin “World Happiness Report 2017”, Shqipëria renditet në vendin e 109 nga 155 vende gjithsej të renditura, duke qenë pas të gjitha vendeve të Rajonit.

Kosova renditet në vend të 78 në indeksin e lumturisë, pra 31 vende më lart se Shqipëria dhe 5 vende pas Serbisë, e cila renditet në vendin e 73-të. Greqia renditet në vendin e 87-të; Kroacia në vendin e 77-të; Maqedonia në vendin e 92-të; Mali i Zi në vendin e 83; Bosnja në vendin e 90-të, Italia në vendin e 48-të.

Në vend të parë për cilësinë e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve në raport (të publikuar nga “Sustainable Development Solutions Network” –SDSN, iniciativa globale e nisur nga Kombet e Bashkuara në 2012) renditet Norvegjia.

Vendet e Europës Veriore konfirmohen si më të lumturat, ndërsa ato të Afrikës sub-Sahariane bashkë me Sirinë dhe Jemenin janë ato ku jetohet më keq.

“Vendet e lumtura,-shpjegon Jeffrey Sachs, drejtori i SDNS dhe këshilltar special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, – janë ato që kanë një ekuilibër të shëndoshë mes prosperitetit, të matur konvencionalisht dhe kapitalit aksioner, që do të thotë një nivel të lartë të besimit në shoqëri, pabarazi e ulët dhe dhe besim në qeveri.”

Dhjetë vendet e para janë të zëna nga Norvegjia, Danimarka, Islanda, Zvicra, Finlanda, Vendet e Ulëta, Kanadaja, Zelanda e Re, Australia dhe Suedia. Në fund të listës janë Sudani Jugor, Liberia, Guinea, Togo, Ruanda, Tanzania, Burundi e Republika e Afrikës Qendrore.

Mes vendeve të mëdha europiane në krye është Gjermania, në vendin e 16-të të klasifikimit që ndiqet nga Britania e Madhe (19) dhe Franca (31). Shtetet e Bashkuara janë në vendin e 14-të.
Klasifikimet bazohen në 6 faktorë: Produkti i Brendshëm Bruto për frymë, shpresa për jetën, liria, bujaria e qytetarëve, mbështetja sociale dhe mungesa e korrupsionit në qeveri ose në biznes, shkruan Balkanweb.

Shpresa e drejtorit të SDSN është që më shumë vende të vendosin tani e tutje të ndjekin shembullin e Emirateve të Bashkuara Arabe, që kanë emëruar një ministër të Lumturisë: “Shpresoj që qeveritë të marrin masa, të analizojnë dhe të diskutojnë temën e lumturisë së qytetarëve të tyre për të kuptuar kur lëvizin në drejtimin e gabuar”.

10 vendet më të lumtura
Norvegjia
Danimarka
Islanda
Zvicra
Finlanda
Holanda
Kanadaja
Zelanda e Re
Australia
Suedia

10 vendet më të palumtura
Jemen
Sudani Jugor
Liberia
Guinea
Togo
Ruanda
Siria
Tanzania
Burundi
Republika e Afrikës Qendrore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat