Agron Gjekmarkaj i lutet Zotit: Duhet ikur nga ky vend, sa nuk është vonë…

Shqipëria

Agron Gjekmarkaj i lutet Zotit: Duhet ikur nga ky vend, sa nuk është vonë…

Më: 21 mars 2017 Në ora: 12:45
Agron Gjekmarkaj

Pas Arian Çanit, edhe Agron Gjekmarkaj kërkon të largohet nga Shqipëria.

Gjekmarkaj thotë se nuk mund të jetohet në një vend ku Fatmir Xhafaj bëhet ministër i Brendshëm, ndërsa Shqipëria, sipas tij, është shndërruar në fole droge dhe krimi.

“Në vitet ’80, drejtësinë e “proletariatit” e bënte Xhafaj djalosh, ndërsa tani në vitin 2017, ministri më i rëndësishëm bëhet përsëri Xhafaj i shtyrë pak në moshë.

Kjo është Shqipëria jonë, një vend të cilit po i kalbet shpirti, ku viktima merr arratinë dhe persekutori zë kryet e vendit.

Një shoqëri që pranon Xhafajn për të treten herë ministër.

T’i lutesh Zotit dhe të ikësh nga një vend i shndërruar në plantacion droge dhe fole e krimit, me gjasë nuk është kurrë vonë”, shkruan ai për Panorama.

Sipas Gjekmarkaj, dekretimi i Xhafajt ministër i Brendshëm, ka mërzitur Ilir Metën me Bujar Nishanin.

“Emërimi i Xhafajt, këtij politikani, i cili edhe gjuhën shqipe e flet si breshëri mitralozi ndaj armikut të klasës, mund të merret si një provokim i Edi Ramës, i cili të bën të revizionosh disa qëndrime ndaj Saimir Tahirit, i cili së paku para 90-ës ishte fëmijë. Një provokim për të persekutuarit, për viktimat, për opozitën e pse jo edhe për Ilir Metën, i cili ka hisen e vet të investimit kundër Tahirit, por edhe konflikt të certifikuar me Xhafajn.

Tani topi është në fushën e ndërtuar në rrugë të Opozitës dhe në portën e Ilir Metës për sa i përket anës institucionale, i cili ndonëse është përgjegjës për këtë qeverisje mbase jo sa Edi Rama po aty afër, ka disa muaj që sillet sikur është në opozitë. Ky është një paradoks made in Albania. Meta është në të drejtën e tij të rrijë në qeveri, të rikonfirmojë koalicionin me Ramën ose ta prishë atë, por nëse do kishte sadopak respekt për qytetarët, do të duhej ta bënte këtë me akte e jo me thashetheme aq sa zyrtarët e LSI-së përgënjeshtrojnë rregullisht në darkë atë që cicërojnë në mëngjes.

Thonë që Meta është i mërzitur me Presidentin për Xhafajn. Mundet, por tani ka rastin t’i nxjerrë gështenjat me duart e veta dhe jo me firmën e Nishanit dhe as me qëndrimet deklarative të opozitës. Metës nuk ia kushtëzon votën Kushtetuta. Nëse nuk e do Xhafajn, le t’u thotë arsyet shqiptarëve ose nëse e do, le ta deklarojë dhe ta shënojë në cv duke votuar pro tij. Kështu do të kuptonim nëse Ilir Metës i ka mbetur gjallë ndonjë fabul. Kështu do të kishim rast të gjykonim përfundimisht nëse ky personazh politik teshtin nga kauzat dhe lumturohet nga taktikat! Pasi ta kuptojmë, nuk do jemi më të lumtur”, shkruan Gjekmarkaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat