Meta: Të mos minojmë zgjedhjet

Shqipëria

Meta: Të mos minojmë zgjedhjet

Më: 21 mars 2017 Në ora: 16:44
Ilir Meta

Qëndrimet e dy partive kryesore në koalicionin qeveritar janë të ndara përsa i përket mundësisë së zhvillimit të zgjedhjeve pa Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Pa kaluar 24 orë nga deklarata e kryeministrit Rama se Partia Socialiste do të futet edhe e vetme në zgjedhje, kryeparlamentari Ilir Meta dha një mesazh të ndryshëm.

“Njoftojini të gjithë që pluralizmi ka ardhur që në 12 dhjetor të vitit 1990 në Shqipëri”, deklaroi Meta.

Megjithatë, Ilir Meta përsëriti thirrjen e disa ditëve më parë kur iu drejtua opozitës së vendit, se nuk i shërbenin mesazhet ultimative.

“Ne duhet të gjithë të punojmë që këto të jenë zgjedhje të shkëlqyera, larg qëndrimeve kategorike që mund të na sillnin pasoja katastrofike të padëshiruara për Shqipërinë, shqiptarët dhe sidomos për të ardhmen e këtyre fëmijëve të mrekullueshëm”, tha Meta.

Kryetari i LSI i bëri këto komente gjatë inaugurimit për rindërtimin e shkollës së tij të fëmijërisë “Kongresi i Lushnjes”. Ai ishte atje i ftuari kryesor i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili tentoi të ulte tensionet mes palëve duke pajtuar Metën me Lindita Nikollën, pas replikave të fundit me Monika Kryemadhin.

“Sa herë që dëgjoni që politikanët bëjnë debate, apo kritika për njëri-tjetrin duhet të kuptoni se bëhen gjithmonë për të përmirësuar punën. Kur vjen momenti për vendimet finale, ne marrim vendimet e duhura për qytetin dhe për shtetin që puna të na shkojë mbarë dhe fëmijët e gjenrateë së ardhshme të kenë kushte të mira jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë”, tha Veliaj.

Bashkëpunimin e ngushtë me kryebashkiakun Veliaj, Ilir Meta e provoi edhe nëpërmjet një batute me nxënësit.

“Disa u mërzitën se e panë me duar bosh dhe kërkuan fiq. Tani, unë ju siguroj që po dolët me dhjeta do të vijnë edhe fiqtë këtu. Do të vijmë edhe ne prapë këtu”, tha Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat