“Nuk ka zgjedhje pa opozitën”: Meta ul tonet, Ruçi i ngre

Shqipëria

“Nuk ka zgjedhje pa opozitën”: Meta ul tonet, Ruçi i ngre

Më: 21 mars 2017 Në ora: 20:16
Gramoz Ruci dhe Ilir Meta, gjate nje ceremonie festive ne hotel Sheraton, me rastin e 22 vjetorit te Partise se Socialiste dhe fitores se Aleances per Shqiperine Europiane ne zgjedhjet parlamentare te 23 qershorit.

Kreu i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, është shprehur mbrëmë në një intervistë për ABC News, se zgjedhjet pa opozitën janë farsë.

“Zgjedhjet pa opozitën janë formale në kuptimin institucional, ndërsa në kuptimin demokratik janë farsë”, ka deklaruar Luan Rama. Rama tha se mazhoranca ka edhe përgjegjësinë “ta bindë opozitën përmes aksionit konkret që zgjedhjet do të jenë korrekte dhe të ndershme”.

“Për sa kohë thashë që transparenca e këtij procesi, transparenca e dialogut, janë ende mundësi reale, gjykoj se ka ende mundësi të pashfrytëzuara që çojnë në zgjidhjen e situatës”, -tha ai.

I pyetur nëse LSI ka ndonjë zgjidhje konkrete për zgjidhjen e situatës, Rama tha se “Fakti që thashë se zgjedhje pa opozitën nuk janë zgjedhje, fakti që thashë se zgjedhjet pa opozitën janë një farsë, fakti që thashë që zgjedhjet pa opozitën nuk i shërbejnë as vendit, as procesit të integrimit dhe nuk janë zgjedhje të përgjegjshme politike të një vendi anëtar të NATO-s… do të thotë që mbi këtë konstante qëndrimi duhet të orientohet dhe fokusohet e gjithë jeta politike”.

Deklarata e Luan Ramës është komentuar të martën nga kryetari i LSI, Ilir Meta, që si zakonisht i ul tonet e komenteve të njerëzve të tij.

Por sërish qëndrimet e dy partive kryesore në koalicionin qeveritar janë të ndara përsa i përket mundësisë së zhvillimit të zgjedhjeve pa Partinë Demokratike.

Pa kaluar 24 orë nga deklarata e kryeministrit Rama se Partia Socialiste do të futet edhe e vetme në zgjedhje, kryeparlamentari Ilir Meta dha një mesazh të ndryshëm.

“Njoftojini të gjithë që pluralizmi ka ardhur që në 12 dhjetor të vitit 1990 në Shqipëri”, deklaroi Meta.

Megjithatë, Ilir Meta përsëriti thirrjen e disa ditëve më parë kur iu drejtua opozitës së vendit, se nuk i shërbenin mesazhet ultimative.

“Ne duhet të gjithë të punojmë që këto të jenë zgjedhje të shkëlqyera, larg qëndrimeve kategorike që mund të na sillnin pasoja katastrofike të padëshiruara për Shqipërinë, shqiptarët dhe sidomos për të ardhmen e këtyre fëmijëve të mrekullueshëm”, tha Meta.

Kryetari i LSI i bëri këto komente gjatë inaugurimit për rindërtimin e shkollës së tij të fëmijërisë “Kongresi i Lushnjes”. Ai ishte atje i ftuari kryesor i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili tentoi të ulte tensionet mes palëve duke pajtuar Metën me Lindita Nikollën, pas replikave të fundit me Monika Kryemadhin.

“Sa herë që dëgjoni që politikanët bëjnë debate, apo kritika për njëri-tjetrin duhet të kuptoni se bëhen gjithmonë për të përmirësuar punën. Kur vjen momenti për vendimet finale, ne marrim vendimet e duhura për qytetin dhe për shtetin që puna të na shkojë mbarë dhe fëmijët e gjenrateë së ardhshme të kenë kushte të mira jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë”, tha Veliaj.

Kurse kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Gramoz Ruçi tha se zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen sepse nuk ka situatë të jashtëzakonshme në vend.

Ruçi foli nga Fieri, në një ceremoni për shpërndarjen e lejeve të legalizimit.

“Nëse do të ketë zgjedhje apo jo, këtë e përcakton Kushtetuta. Sipas Kushtetutës, zgjedhjet mbahen 1 herë në katër vjet. Diskutimi i datës 18 qershor tregon një Shqipëri të destabilizuar. Zgjedhjet do të mbahen sepse nuk ka situatë të jashtëzakonshme.

Zgjedhja e presidentit gjithashtu vihet në rrezik nëse nuk do të bëhen zgjedhjet.

Ne jemi të gatshëm të ulemi të ulemi të diskutojmë për procesin zgjedhor. Po të tilla interesa nuk ka, ka vetëm për qeveri teknike. Pranojmë çdo propozim të çertifikuar nga OSBE-ja”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat