Ekonomi: Kulinaria, produkt i ri turistik që duhet promovuar

Shqipëria

Ekonomi: Kulinaria, produkt i ri turistik që duhet promovuar

Më: 22 mars 2017 Në ora: 09:35
Ministrja e Zhvillimit Ekonomi, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi ne “Konferencën e Degustimit të Kulinarisë nga gjithë trevat shqiptare”

Ministrja e Zhvillimit Ekonomi, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, mori pjesë në “Konferencën e Degustimit të Kulinarisë nga gjithë trevat shqiptare”, që u zhvillua për të dytin vit rresht në  mjediset e kompleksit Xibraku.  

Konferenca  u organizua nga Shoqata e Restoranteve Turistikë Shqiptare e cila tashmë ka gjithsej 70 anëtarë, mes të cilëve restorantet më të mira tradicionale të Shqipërisë. 

Ministrja Ekonomi u shpreh shumë e impresionuar me anëtarësinë e Shoqatës dhe me gjithë produktet e shumëllojshme që u paraqitën në këtë panair. Në fjalën e saj ajo u shpreh: “Është kënaqësi kur shikon që dhe pse është organizatë e re aderojnë në të kaq shumë anëtare. Teksa po vija këtu sot po mendoja se çfarë ndodh  në botën e aktivitet boterorë  të turizmit, ku ne marrim pjesë me kulinarinë apo gastrononimë. Organizata Botërore e Turizmit prej kohësh e quan turizmin e gastrononomisë, një nga trendet e reja që janë shfaqur në  sektorin e turizmit. Trendi për të bërë gastronominë turizëm botëror ka nisur në 2004. Dhe ne jemi bashkuar këtij trendi, pak më vonë, por jemi në kohë.  Arsyeja pse Organizata Botërore e Turizmit vendosi që gastronomia mund të jetë një produkt i mire turistik për t’u zhvilluar, lidhej me një fakt të rëndësishëm që ka të bëj me jetën e komuniteteve të vogla lokale që duhen të bëhen pjesë e gjithë zhvillimit të vendit. 

Nëse duam të zhvillojmë kulinarinë, duhet të përpiqemi fort që ta kthejmë atë në një instrument zhvillimi duke ndihmuar një bashkësi lokale që të nxjerrë më të mirën e vet, dhe të japë më shumë produkte karakteristike të zonës së saj. Tashmë  zona rurale është një zonë që lidhet më lëhte me zonën urbane dhe kjo vjen falë urbanizimit më të madh të territoreve. Edhe Shqipëria po urbanizohet më shumë. Kemi më shumë km rrugë, rilindja urbane po vazhdon të shtrihet në gjithë qytetet dhe territoret tona dhe mund ta bëjë më të prekshme një zonë nga pikpamja e produkteve të artizanatit dhe kulinarisë. Tjetër gjë lidhet me faktin se turizmi i kulinarisë i jep mundësinë dikujt që përveçse është priodhues i produktit, të bëhet dhe shijues i produkteve të ngjashme. Këtu sot pamë që janë bashkë  përfaqësuesit e kantinave të verës dhe restoranteve tipike në zona të caktuara. Pra përveç se prodhohet verë, ajo dhe degustohet dhe kjo bën të mundur që prodhimi i verës të shëndrohet në një produkt turistik që është jo vetëm për t’u shijuar por edhe për t’u kuriozuar dhe relaksuar.  Ky është  një dimension i ri që Organizata Botërore e Turizmit i ka dhënë turizmit të kulinarisë. Ndërkohë në Shqipëri fryma e bashkëpunimit me kultura të reja ndërkombëtare është shtuar, pasi shumë nga ju kanë marrë eksperiencë falë lëvizjeve demografike që kanë ndodhur.  Shqipëria jo vetëm ka nevojë t’i përqafojë këto modele, por t’i bëjë pjesë të politikave të aftësimit profesional.  Sot shkollat profesionale në hoteleri turizëm, kuzhinë, kafe bar restorante janë në vëmendje të gjithë politikave të aftësimit profesional

Së fundi, dua të vlerësoj dhe inicativën e lire si kjo e juaja për organizimin e prezantimeve të tilla, që vijnë bashkë me inicativa që lidhen me formimin profesional. Kam parë shkolla të vogla apo kurse kulinarie që janë hapur nga shumë prej jush, të cilat e bëjnë më të shtrirë kulturën e gastronomisë në Shqipëri” tha Ministrja Ekonomi në fjalën e saj.

Konferenca u pasua nga një prezantim kulunarie ku u prezantuan gatimet më të mira shqiptare që nga zona e Kelmendit e deri në Gjirokastër. Nën moton “turizmi fillon nga ne” kjo shoqatë synon që të njihet vlera e  kulinarisë shqiptare dhe të promovohet sa më shumë.  Drejtuesi i kësaj shoqate Kujtim Dervishi tha se synon që anëtarësia e kësaj shoqate të zgjerohet. Tashmë kjo shoqatë do krijojë dhe një aplikacion ku të listohen gjithë restorantet e mira shqiptare.  Në panair merrnin pjesë rreth 50 biznese, mes të cilëve prodhues vaji, vere, të baxhove të djathit, kompani birre dhe përfaqësues të restoranteve tipike shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat