Kujtimet e Timo Lutos: Arrestimi i Nexhmijes, shampanjë për Berishën President

Shqipëria

Kujtimet e Timo Lutos: Arrestimi i Nexhmijes, shampanjë për Berishën President

Më: 22 mars 2017 Në ora: 12:32
Nexhmije Hoxha

Një muaj pas ardhjes së PD-së në pushtet, me ligjin 24/1, dhjetëra mijëra njerëz humbën punën ku kishin punuar për shumë vite. Me mijëra familje ranë në mjerim…

Ky akt do të pasohej nga sa e sa akte të tjera jo vetëm antidemokrate, por dhe antihumane. Koha do të tregonte se në pushtet kishin ardhur barbarët. Ishin ata që do fusnin vendin në kaos dhe anarki të përgjakshme si në vitin 1997

Mundimi i gjatë 50-vjeçar nën diktaturë i bënte njerëzit të shfaqnin shenja padurimi për të pasur një jetë tjetër dhe imagjinata kishte krijuar te të gjithë idenë e një mrekullie të sigurt, që mund të prekej lehtë.

Askush nuk dinte se si do të ishte sistemi tjetër, jeta tjetër që besohej se kishte me shumë liri e mirëqenie të sigurt. Të rrëmbyer nga kjo psikozë, njerëzit përkrahnin çdo lëvizje që kundërshtonte të kaluarën. Oratorët e të resë së panjohur u shtuan shumë, pjesa më e madhe e tyre ishin anonimë, por kishte edhe mjaft nga ata që u sulën të rrëmbejnë flamurin e ri kur sapo kishin flakur tej të vjetrin. Në librin Komploti kundër lirisë, Andrea Stefani shkruan: “Në radhët e protestuesve kundër diktaturës nuk mungoi si përherë në kësi rastesh një nukël lumpenësh që e shihte kauzën e lirisë si një mundësi për të hequr qafe ligjin, një lloj anarkizmi mjaft aktiv rrugaçësh që do të bëheshin kontingjent themelor i banditizmit politik dhe të qëndrueshëm të tranzicionit. Ata nuk u ngritën kundër pushtetit komunist, por kundër shtetit në tërësi.” Opozita, dhe kryesisht Partia Demokratike, gjetën në sjelljen e këtyre njerëzve masën e nevojshme për të realizuar synimet e saj nëpërmjet presionit të publikut, për të marrë sa më parë pushtetin. Vendi ishte i shkatërruar, zhvillimi ekonomik ishte paralizuar, buxheti i shtetit me vështirësi përballonte nevojat më jetike të popullatës, reformat sapo kishin nisur dhe ligjet duhet të ribëheshin nga e para. Kjo situatë kërkonte kohë, qetësi dhe angazhim serioz të forcave politike. Për të gjitha këto nuk pati mirëkuptim.

Arrestimi i Nexhmije Hoxhës

Me gjithë krijimin e qeverisë së stabilitetit si një mundësi për stabilitet politik dhe social, domosdoshmëri kjo për investimet e huaja për të cilat kishte nevojë ekonomia e rrënuar, Partia Demokratike vazhdonte të kishte ambicie të forta për pushtetin. Qysh pas përfundimit të zgjedhjeve të 31 marsit, ajo kërkoi zgjedhje të parakohshme, me justifikimin se në këto zgjedhje nuk u shpreh vullneti i vërtetë e elektoratit shqiptar. Në këtë aspekt kishte të drejtë, ajo që pengoi ardhjen në pushtet të PD-së qysh në zgjedhjet e para pluraliste ishte konservatorizmi i fshatarësisë, por edhe puna e pakët propagandistike e bërë në fshat. Megjithatë, vendi kishte nevojë për një frymëmarrje pas kësaj traume të papritur. Megjithëse ndryshimi dëshirohej nga të gjithë, pak e dinin se si do të ishte dhe çfarë do të sillte ai. Kjo frymë e mbante gjallë ambicien e PD-së për të ardhur sa më parë në pushtet. Padurimi i saj u shfaq në dhjetor, gjashtë muaj pas formimit të qeverisë së stabilitetit.

Partia Demokratike deklaroi se do të tërhiqej nga qeveria nëse nuk përmbusheshin disa kushte të paraqitura në mënyrë të papritur prej saj. Kërkohej të zhvilloheshin zgjedhje të parakohshme më 20 shkurt të vitit 1992, kërkohej arrestimi i bllokmenëve dhe të shkarkoheshin drejtuesit e Radiotelevizionit Shqiptar. Këto kërkesa u shoqëruan edhe me protesta të organizuara nga PD-ja përpara Radiotelevizionit, ku kërkohej shkarkimi i drejtuesve Fatmir Kumbaro dhe Hysni Lita. Pa pritur përgjigje për kërkesat e paraqitura, PD-ja tërhoqi nga qeveria ministrat e saj duke e shpënë vendin në krizë qeveritare dhe nga presioni i saj prokurori i përgjithshëm lëshoi urdhër arresti për Nexhmije Hoxhën. Në këto kushte kryeministri Ylli Bufi dha dorëheqjen. Promotori i gjithë këtij skenari ishte Sali Berisha, megjithëse pati edhe anëtarë të kryesisë së partisë dhe ministra në qeveri që ishin kundër.

Në këto kushte u ra dakord midis forcave politike krijimi i një qeverie tjetër të përbashkët, një qeveri teknike që do të përgatiste zgjedhjet e reja që u vendos të mbaheshin më 22 mars 1992.

***

Në këtë periudhë Radiotelevizioni ishte pothuajse jashtë çdo kontrolli dhe urdhri. Largimi i Fatmir Kumbaros dhe zëvendësimi i tij prej Agron Çobanit krijoi liri të plotë e të pakontrolluar. Nuk dua të shprehem “pa censurë” se kjo kishte kohë që nuk ekzistonte. Agroni u ul në karrigen e drejtorit të përgjithshëm si një figurë kompromisi dhe i ndërgjegjshëm se do të ishte i përkohshëm e nuk mund të ndryshonte gjë.

Kur më ndodhte të shkoja në zyrën e tij, më mbante gjatë si për të kaluar kohën.

– Po hajdeni se u mërzita,- thoshte,- dhe kur i thosha se mos e shqetësoja se kishte punë, përgjigjej me të qeshur:

– E ç’punë kam, po hajdeni e mos më lini vetëm.

E gjithë piramida e shtetit ishte e përkohshme deri në ditën e zgjedhjeve, më 22 mars 1992. Radiotelevizioni dhe veçanërisht redaksia e informacionit ishte vënë në shërbim të fushatës së PD-së. Nëpër mitingjet e kësaj partie dilnin dhe flisnin në mbështetje të Sali Berishës të huaj, miq të tij, por edhe shqiptarë që kishin lënë Shqipërinë mbas humbjes së luftës me komunistët dhe që vinin për herë të parë në atdheun e tyre. Veç mallit ata manifestonin edhe urrejtjen ndaj regjimit komunist. Nga fillimi i fushatës shoqërova kryetarin e PD-së në turin e tij elektoral në Shqipërinë e Mesme dhe në Jug. Kur ndaluam në një lokal për të pushuar i thashë doktorit (kështu i drejtoheshin të gjithë) se ligji për zgjedhjet nuk i lejon të huajt të bëjnë propagandë në mbështetje të ndonjë force politike. Doktori u shmang nga thelbi i pyetjes dhe e kufizoi përgjigjen vetëm tek ata shqiptarë të sapoardhur në Shqipëri dhe që e shoqëronin në çdo miting.

– Ata kanë një jetë të tërë që kanë pritur këtë ditë. Sot janë të lirë në atdheun e tyre të ndaluar,- tha doktori.

Unë nuk kisha parasysh këta, por nuk ia vlente të bëja diferencën.

Në çdo qendër banimi ku kalonte doktori bashkë me grupin që e shoqëronte, ndalonte dhe u fliste njerëzve që grumbulloheshin në pak minuta. Njerëzit u gëzoheshin fjalëve që dëgjonin që dikur nuk mund t’i çonin në mend. Urrejtja për të shkuarën manifestohej dukshëm dhe euforia për të ardhmen i kishte përfshirë të gjithë. Pas të parit, mitingu tjetër bëhej më i madh, mjete të shumta bëheshin pjesë e eskortës së tij. Për herë të parë shiheshin pamje kaq entuziaste dhe masive. Me operatorin Bujar Kore nuk lamë pa i xhiruar pamje të tilla që u përsëritën gati në çdo miting gjatë fushatës elektorale të Partisë Demokratike. Doktori nuk përmbahej, kishte vitalitet të jashtëzakonshëm. Në një nga këto ditë u ndalëm në Kavajë. Ky qytet kishte treguar më parë se kushdo antikomunizmin e tij. Mitingu këtu ishte i paimagjinueshëm. I tërë qyteti ishte në shesh. Nuk besoj se kishte mbetur njeri në shtëpi. Fjalët e doktorit ishin një me entuziazmin e jashtëzakonshëm të njerëzve. Kronikën që përgatita dhe që transmetova në mbrëmje në televizion e mbylla me fjalët: “Fitorja e PD-së në Kavajë është jashtë çdo dyshimi. Populli i Kavajës ka votuar më parë se kushdo kundër të shkuarës.”

Këtë nuk duhet ta thosha sepse nuk ma lejonte profesioni. Radiotelevizioni duhet të ruante paanësinë, po kush i vinte re këto, nuk kishte rregull atëherë. Për këtë kronikë mora përgëzime edhe nga vetë doktori, i cili kërkoi që ta shoqëroja edhe në takimet e tjera. Punë e lodhshme. Isha pothuaj në një moshë me të, megjithatë veç dëshirës sime ishte edhe detyrimi që kisha nga shefi i redaksisë Shkëlqim Alia, i cili vendosi që unë të ndiqja fushatën e PD-së. Një muaj të tërë i rashë kryq e tërthorë Shqipërisë. Rezultati i këtyre zgjedhjeve pothuajse dihej. Ajo që e bënte Sali Berishën të mos ndalej në rrugëtimin të gjatë dhe mjaft të mundimshëm ishte dëshira e tij për të pasur një rezultat sa më të thellë që do t’i jepte mundësi të ndërtonte një pushtet sa më të fortë, përfshirë këtu atë të postit të presidentit.

Mitingu përfundimtar në mbyllje të fushatës u mbajt më 21 mars paradite në sheshin Skënderbej. Nuk kisha se çfarë të thosha më shumë se ç’tregonin pamjet në shesh ndaj i thashë operatorit Bujar Kore se do të regjistrohej vetëm fjala e kryetarit të partisë, Sali Berisha. Nga mitingjet e shumta për një muaj rresht, ditë për ditë, zërin e kishte të ngjirur, por besimin në fitore të plotë. U pozicionova pas tij për të ruajtur të pastër figurën dhe i afrova mikrofonin. Bujari përballë nisi xhirimin.

“Zgjedhjet e 22 marsit,- tha Berisha,- shënojnë fitoren përfundimtare të demokracisë në Shqipëri, realizimin e asaj ëndrre dhe ideali për të cilat shqiptarët pritën gjysmë shekulli nën diktaturën komuniste. Rruga e lirisë është e hapur për të gjithë.

Partia Demokratike ju garanton lirinë e munguar, Partia Demokratike ju garanton një jetë më të mirë. Të zgjohemi nga gjumi i thellë komunist dhe të përqafojmë lirinë e ëndërruar. Mos harroni të kaluarën, mos harroni mjerimin shumëvjeçar që ka mbërthyer vatrat tuaja familjare, mos harroni lirinë e munguar, mos harroni burgosjet, vrasjet dhe internimet, mos harroni terrorin komunist.”

Të nesërmen e ditës së zgjedhjeve kur priteshin rezultatet, për doktorin orët ishin më të gjata se kurrë. Gjithë kohën qëndroi në zyrë në pritje të rezultateve që jepeshin nga rrethet. Merakun më të madh e kishte në ato zona që kishin qenë bastione të Luftës Nacionalçlirimtare dhe të komunizmit, si: Vlora, Mallakastra, Gjirokastra, Tepelena e Skrapari, por edhe qytetet e mëdha ku kandidatët ishin më të shumtë.

Në zyrë telefoni binte shpesh e më shpesh. Në zyrën e doktorit hynin e dilnin anëtarë të kryesisë, militantë, madje edhe qytetarë e simpatizantë të partisë dhe doktori pa u lodhur i takonte e u përgjigjej të gjithëve. Jashtë godinës me qindra njerëz mbanin gjallë entuziazmin e fitores së pritur. Vlora ishte meraku më i madh i doktorit. Nga mesnata mbërriti lajmi se edhe në Vlorë Partia Demokratike kishte fituar. Atë natë nuk e di nëse fjeti njeri nga ata që ishin brenda dhe jashtë selisë. Pas gëzimit për fitoren Sali Berisha dha një intervistë për gazetarët e shumtë të pranishëm. Në këto zgjedhje PD-ja mori 92 deputetë nga 140 gjithsej. Pyetjes sime se si e shpjegonte votën pro të fshatarëve, ndryshe nga zgjedhjet e një viti më parë, ai u përgjigj:

– Fshatarësia ka qenë shtresa më e shtypur, më e varfër e shoqërisë ndaj më shumë se çdo shtresë tjetër ajo kërkon ndryshimin që padyshim do ta realizojë Partia Demokratike.

Shampanjë për Berishën president

Pas festimeve të zhurmshme një ditë më pas Tirana ra në qetësi. Jeta u kthye në intimitetin e saj njerëzor, me një frymë tolerance e mirëkuptimi të dukshëm. Banorët kryeqytetas lëviznin të qetë nëpër rrugë për të kryer punët e tyre. Te të gjithë ndihej çlirim shpirtëror pas një viti tejet të tensionuar e të lodhshëm. Jeta nuk kishte ndryshuar, njerëzit kishin si më parë të njëjtat halle dhe ishin po njëlloj të varfër, por fitorja e PD-së kishte rritur shpresën dhe besimin e njerëzve. Dihet se plagët e rënda në trupin e Shqipërisë dhe në shpirtin e njerëzve nuk do të shëroheshin lehtë. Megjithatë, të gjithë i gëzoheshin fitores, i gëzoheshin lirisë dhe demokracisë në këtë nisje të saj. Më tej përfytyrimi i të gjithëve ishte i paqartë e i turbullt.

Pak ditë pas fitores u mblodh Kuvendi në seancën e parë të legjislaturës. Kuvendi zgjodhi si kryetar Pjetër Arbnorin, i cili kishte vuajtur burgimin më të gjatë të diktaturës. Por ajo që pritej dhe që tashmë dihej, ishte zgjedhja e Berishës president. Zgjedhja e tij u bë pa rival e pa debat, ndryshe nga zgjedhja e Ramiz Alisë një vit më parë, ku çfarë nuk u tha kundër tij. Sapo ky dha dorëheqjen (në shtyp u tha se Ramiz Alia i kishte ofruar Berishës postin e presidentit me kusht që ai të mos e fuste në burg), Sali Berisha u zgjodh president me votat e Partisë Demokratike.

Në momentin e zgjedhjes së Sali Berishës President, në lozhën ku ishin gazetarët shpërtheu një shishe shampanje që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve që ndodheshin në sallën e Kuvendit. Aida Shehu, punonjëse e Radio Tiranës dhe Zamira Koleci ishin ato që këtë moment e shoqëruan me shampanjë.

***

Që pas fitores të kësaj partie isha i atashuar në Kuvend për të ndjekur dhe transmetuar në televizion punimet e tij. Seancat transmetoheshin të plota me orë të tëra. Vëmendja ishte e përqendruar e gjitha këtu. Një popull i tërë priste mrekullinë pas këtij momenti sikurse ishte thënë nëpër mitingje gjatë fushatës elektorale të Partisë Demokratike. Atë ditë që do zgjidhej presidenti shkova në zyrë dhe kur do nisesha për në Kuvend më takoi kolegu Alfons Gurashi (ai ishte akoma në të njëjtën redaksi të informacionit ku punonte prej gati 30 vjetësh) dhe më kërkoi që atë ditë të shkonte ai në Kuvend për të përgatitur kronikën sepse kishte nevojë të gjendej aty edhe për një problem personal. Nuk e kundërshtova, duke treguar respekt për të si koleg i vjetër (unë kisha vetëm tre muaj që kisha kaluar në televizion), por edhe nuk dija se atë ditë do të bëhej zgjedhja e presidentit të republikës. Alfonsi i ndiqte me shumë vëmendje ngjarjet e veçanta të politikës të atyre ditëve për t’u përfshirë në to e për të mbuluar të kaluarën e tij të bërë njësh me diktaturën komuniste, si numri një i propagandës së saj, gjë që ai e bënte me përkushtim të dukshëm.

Ishte ai që solli lajmin e njohjes së zyrtare të Partisë Demokratike nga Ministria e Drejtësisë më 12 dhjetor 1990 në sallën e kinoklubit Studenti ku ajo ishte mbledhur. Gëzimi që shkaktoi lajmi bëri që të harrohej kush ishte lajmsjellësi. Atë ditë ishte e njëjta lojë e tij.

Në lajmet e orës 16.00 doli në ekran gazetari personal i Enver Hoxhës, duke intervistuar presidentin e parë demokrat, Sali Berishën. Duke ndjekur pamjet në ekran, dikush tha:

– Po ky është në vete? Nuk ka kuptuar asgjë se çfarë ka ndodhur.

Pa mbaruar lajmet më thirri nëndrejtori i emëruar pak kohë më parë, Leka Bungo dhe e shfryu inatin e tij mbi mua, për vajtjen e Alfonsit në Kuvend. Më tha se nuk duhej ta lija të shkonte. Por si mund ta pengoja unë kur isha në të njëjtat pozita me të. Për të mos u përsëritur një rast si ky Leka e thirri vetë atë dhe ia bëri të qartë se jo vetëm që nuk do të shkonte në Parlament apo në ndonjë veprimtari të rëndësishme politike e kombëtare, por do të largohej edhe nga televizioni. Kështu ndodhi. Pas disa ditëve Alfons Gurashi e vazhdoi profesionin e tij në kanalin e dytë të Radio Tiranës.

Neni 24/1

Kuvendi i vazhdoi punimet me ngutje të madhe për të miratuar ligjet që do të bënin të mundur ndryshimet që priteshin. Përpjekja e parë ishte largimi i administratës komuniste dhe zëvendësimi saj me një administratë të re, jo më të aftë, por një administratë të lidhur ngushtë dhe besnike e partisë në pushtet.

Një muaj pas zgjedhjeve dhe dy javë pas konstituimit të Kuvendit u miratua një shtesë në ligjin për marrëdhëniet e punës. Nenit 24 iu shtua neni 24/1 me këtë përmbajtje: “Për nevoja të veçanta që lidhen me përmirësimin e funksioneve të strukturave të aparatit shtetëror, për vënien në jetë të reformës, organi kompetent ka të drejtë të transferojë nëpunësin në një vend tjetër pune brenda profesionit të tij. Kur gjetja e vendit tjetër të punës është objektivisht i pamundur, e kalon atë në një punë tjetër ose në asistencë sociale.” Ky nen hyri në fuqi menjëherë më 30 prill 1992.

Nëpërmjet këtij ligji me dhjetëra mijëra njerëz humbën punën ku kishin punuar për shumë vite. Me mijëra familje ranë në mjerim dhe shumë intelektualë u detyruan të bëjnë punë të rëndomta, deri edhe shitës ambulantë. Shumë të tjerë zgjodhën rrugën e emigracionit kryesisht në Greqi, ku punët e rëndomta që bënin ishin larg syrit të njerëzve që i njihnin. Ushtarakë të lartë, të shpërfytyruar nga uniformat civile, në heshtje dhe të ndrojtur kryenin ndonjë punë të sajuar me vështirësi për të mbajtur gjallë familjen.

Ky akt do të pasohej nga sa e sa akte të tjera jo vetëm antidemokrate, por dhe antihumane. Koha do të tregonte se në pushtet kishin ardhur barbarët. Ishin ata që do fusnin vendin në kaos dhe anarki të përgjakshme si në vitin 1997./Dita

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat