Reagim i fortë kundër Veliajt: Je i neveritshëm, mos përdor dhimbjen e fëmijëve

Shqipëria

Reagim i fortë kundër Veliajt: Je i neveritshëm, mos përdor dhimbjen e fëmijëve

Më: 23 mars 2017 Në ora: 07:10
Erion Veliaj duke perqafuar femijen

Një foto dhe disa pamje të kuruara, nën kujdesin e zyrës "kinematografike" të propagandës së bashkisë së Tiranës, shënuan kulmin e teatrit populist të Erion Velisë. Kulmin, sepse këtë herë u tejkalua çdo limit njerëzor, duke bërë propagandë mediatike me dhimbjen e një vogëlushi, i cili kishte humbur të vëllain pak kohë më parë.

Regjia e Veliajt, në kuadër të fushatës mediatike frenetike që zhvillohet çdo ditë nëpër ekranet e tv, e përdori këtë fëmijë (pa u kujdesur për ekspozimin e tij brutal, ndonëse ka një ligj që e mbron publikimin e fotove të minorenëve) për të pompuar nismën e kryebashkiakut për të vendosur një stol në kujtim të vëllait të vogëlushit, i cili kishte ndërruar jetë.

Në Shqipëri ka pasur dhe ka dhjetra raste të shfrytëzimit të fëmijëve për qëllime politike dhe elektorale dhe Veliaj dallon mbi të tjerët në këtë drejtim. Por kjo shfaqje e paprecedentë, për të ekspozuar para mediave dhimbjen e një fëmijëve për kapital politik, ka shkaktuar mjaft reagime në rrjetet sociale, por organizatat lokale dhe ato ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e të drejtave të minorenëve kanë heshtur. Nisma "Thurrje", ka qenë e vetmja organizatë që ka reaguar fort. 

Më poshtë po japim të plotë deklaratën e nismës "Thurrja":

"TI JE I FRIKSHËM!

Sepse edhe spekullanti më i pacipë, makiavelisti më i pashpirt ka një limit, ka një fund. Ka një moment që thotë “Jo, dreqi ta hajë. Jo, te paktën këtë gjë s’mund ta përdor për përfitimin tim.”.

Çfarë mendoje në ato momente? Kur ai fëmijë derdhte lot në kulmin e sinqeritetit të pastër që dhimbja e humbjes së njeriut të shpirtit shkakton, ti çfarë mendove? “O sa rast i mire për të bërë namin sot në media dhe në FB”. Me siguri këtë ke menduar. 

Si ndodhi ngjarja më pas? Kur ai fëmijë, në pikën e dhimbjes qante me lot shpirti, fillove dhe ti të qaje, gjoja sikur dhe ty po të këputej shpirti. Ndërkohë që vetëm dy metra më tutje kishe kameramanin që po filmonte, ate që mbante mikrofonin që të degjohej e qara, ishte grimieri që të bën fytyrën me pudër që të dalësh mirë në kamera, regjizori që komandon kameramanin, fotografi që bën fotot e FB..Dhe të gjithë këta, me ty në krye, punonin për kryeveprën e rradhës që do të nxirrje në edicionet e lajmeve të pronarëve të kioskave dhe lejeve të ndërtimit, ndërkohë që fëmija i shkretë qante nga dhimbja dhe besonte se dhe ti po bëje të njëjtën gjë.

Ti nuk ke një limit. Krahasuar me ty, “Princi” i Machiavelit duket fisnik i moralshëm, dhe Shajloku i Shekspirit duket i dhembshur, sepse dhe ata që janë simboli i pacipësisë botërore, në një moment të tillë do të thonin “Stop! Ne mashtrojmë, përdorim, shfrytëzojmë njëri tjetrin, por tek fëmija jo. Sidomos te fëmija që qan nga dhimbja e shpirtit. Aty jo e jo!!”.

Ti je i vetmi që mund të përdorësh dhimbjen e një fëmije për të fituar reklamë. Nuk njohim njeri tjetër të shkojë kaq larg sa ty. Nuk njohim njeri tjetër të përdorë dhimbjen e një fëmije, për të bërë reklamë për veten.

Sepse kjo quhet pedofili politike dhe mediatike! Dhe për më tepër ndalohet me ligj. Po cili ligj? Ti me ligjin fshin buzët me yndyrë mbasi ha drekë me prokurorin e Arditit. E mbasi e bën këtë del dhe flet për vetingun. Duke na vjedhur shpresën se ky vend e ka një shans.

Neveri!
Ndalo sot! Mos përdor më fëmijët! Se nuk do mbahesh mend më si Erion Velia por si Erion Neveria!
MJAFT!".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat