Thirrja e policit nga Shqipëria: Rrezikoj të vdes nga tumori, nuk kam para për të blerë gjilpërat

Shqipëria

Thirrja e policit nga Shqipëria: Rrezikoj të vdes nga tumori, nuk kam para për të blerë gjilpërat

Më: 23 mars 2017 Në ora: 09:39
Petrit Nelaj

Nuk kam para për të blerë gjilpërat. Jetoj në kushte të vështira dhe jeta po më rrezikohet çdo ditë e më shumë”. 

Kështu u shpreh dje Petrit Nelaj, i cili prej 10 vitesh punon në paraburgimin e Vlorës. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, 59-vjeçari u kërkon ndihmë Drejtorisë së Burgjeve, Ministrisë së Drejtësisë dhe kujtdo tjetër që të bëjnë diçka për të. “Duhet të mjekohem rregullisht, – thotë Petriti, – në të kundërt sëmundja ime do të avancojë”. I frikësuar për gjendjen e tij shëndetësore, ai rrëfen se institucioni në të cilin punon nuk e ka ndihmuar në asnjë rast, edhe pse e ka detyrim ligjor. “Jam detyruar të marr kredi. Tani kam nxjerrë edhe shtëpinë në shitje”, thotë 59-vjeçari nga Vlora.

Zoti Petrit, ju keni një vit e gjysmë që kuroheni pas një operacioni të vështirë, cili është problemi juaj?

Kam një vit e gjysmë që jam operuar, pasi isha me diagnozën “tumor në fshikëzën e urinës” dhe biopsia që m’u caktua ishte e gradës së lartë dhe mjekët më thanë se duhet të bëja kimioterapi. Mbas operacionit kam kryer 14 kimioterapi, të cilat i kam siguruar me lekët e mia në Greqi, pasi më thanë se në QSUT nuk kishte. Gjatë gjithë kohës kam kërkuar ndihmë financiare që të mbuloja shpenzimin e mjekimit që duhej të bëja, duke qenë se të ardhurat e familjes sime janë shumë të vogla. Kërkova ndihmë në institucionin ku unë punoj, në paraburgimin e Vlorës, dhe m’u dha një rrogë në mënyrë të shpejtë nga drejtuesi i këtij institucioni. Ai u tregua i gatshëm që të më jepte aq sa e lejonte ligji për të më dhënë. Ndërsa pjesën tjetër të parave duhej ta kërkoja te Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Ju kanë dhënë ndihmë në këtë institucion?

Jo, nga Drejtoria e Burgjeve nuk kam marrë asnjë ndihmë, madje as atë që mua më takon me ligj. Drejtori i asaj kohe, Artur Zoto nuk më ka pritur fare në zyrë. Kam dalë nga spitali dhe kam shkuar që ta takoja në zyrë, ashtu i sëmurë siç isha. Dhe pa pikë turpi më tha “duku nesër” kur unë mezi ecja. Edhe një letër që ia kam dërguar në rrugë zyrtare nuk më ktheu asnjë lloj përgjigje. Që në këtë moment kur nuk po më jepnin atë që mua më takonte, fillova të kërkoja ndihmë te të afërmit e mi sepse më duhej të shpëtoja jetën.

Si i ke përballuar mjekimet gjatë kësaj kohe?

Me vështirësi shumë-shumë të madhe, që vetëm Zoti dhe familja ime e di që më kanë parë. Kam qenë në një ankth shumë të madh. Çdo të shtunë unë duhet të bëj gjilpërën dhe çdo të premte më kap paniku. I kërkova ndihmë vëllait tim në Greqi. Ai me aq mundësi sa ka pasur më ka ndihmuar. Në fillim një gjilpërë më ka kushtuar shumë më shumë sesa unë e mendoja. Për të siguruar gjilpërat shita motorin dhe makinën. Më duhej t’i blija me patjetër ato gjilpëra, në të kundërt gjendja ime shëndetësore do të përkeqësohej më shumë se në gjendjen që ndodhesha. Ndërsa sot kam nxjerrë në shitje shtëpinë time, që e kam bërë me aq mund e djersë (ul kokën). Kam marrë kredi dhe overdraft në bankë. Marr lekë borxh për të siguruar gjilpërën.

Ju ka ardhur njeri në ndihmë?

Disa herë më ka ndihmuar një biznesmen nga Vlora. Më siguroi disa gjilpëra. Unë e falënderoj me shpirt atë njeri. Edhe disa miq e shokë të mi më janë gjendur në disa raste. Kolegët më mbështesin edhe në punën ku unë jam.

Sa mjekime bën në muaj?

Bëj 4 gjilpëra në muaj, që i bie një gjilpërë në javë.

Sa kushton një prej tyre?

Vetëm njëra kushton 130 euro. Në muaj mua më duhen 520 euro.

E keni marrë mjekimin rregullisht?

Jo. Herën e fundit që duhej të merrja mjekimin, nuk e bëra gjilpërën, nuk kisha siguruar lekët që ta blija. Edhe këtë të shtunë do të ngelem sërish pa e bërë sepse nuk i kam siguruar paratë. Dhe nëse situate ime vijon kështu pa mjekim, më kushton shumë shtrenjtë, sepse më avancohet sëmundja. Mjekët më kanë thënë se nëse nuk mjekohem rregullisht, më avancohet sëmundja, gjë që goditet prostata, dhe nëse arrij deri këtu më duhet të operohem sërish. Unë nuk kam asnjë mundësi të marr qoftë edhe një gjilpërë, jo më të përballoj edhe një herë nga e para operimin dhe mjekime të tjera më shumë.

Sa vite keni që punoni në paraburgimin e Vlorës?

Kam gati 10 vite që punoj aty, me gradën “inspektor” në grupin e shoqërimit, dhe me sistem 12-orarësh. Për situatën në të cilën unë ndodhem tani është shumë e lodhshme kjo gjë. Kam kërkuar një herë që të punoja 8 orë për shkak të kushteve shëndetësore ku ndodhem, por nuk më interesonte, sepse do të kisha ulje në gradë dhe ulje të pagesës. Me aq para sa unë marr nuk siguroj dot asgjë. Blemë uniformat me lekët tona. Me aq para sa unë marr, çfarë të blej më parë, këpucët, xhaketën, pantallonat, stemat, të mbaj familjen apo të blej mjekimet?! Kur uniforma na zbardhet, e lyejmë me bojë, se nuk kemi mundësi ta blemë gjithmonë. Na bëhet trupi me bojë se s’kemi ç’të bëjmë. Puna jonë është tepër stresuese dhe ne nuk po vlerësohemi për punën që po bëjmë. Po e zbatoj ligjin me përpikëri sepse e ndjej veten krenar që jam polic burgu, edhe pse aty po përballemi me çdo njeri të botës së krimit.

Ku keni punuar më parë?

Në fillim kam punuar në Policinë e Shtetit. Kam qenë në policinë kriminale. Brenda 2-3 viteve kam qenë badigard i shefit të Krimeve të asaj kohe. Më pas kam punuar në Berat, në Vlorë, në Sarandë e në Delvinë. Unë jam plagosur dy herë në krye të detyrës. Një herë ka qenë në Qafë të Koshovicës, ku kam marrë dy plumba në gjunjë. Në 2002-shin jam plagosur sërish në grabitjen e një banke në Vlorë, ku kam marrë dy plumba. Më duhej të përballesha me autorin që të mos e lejoja të bëhej grabitja, sepse për atë isha caktuar aty, të ruaja kasafortën. Në të dyja këto raste nuk jam dëmshpërblyer për sigurimin e jetës.

Keni pasur ndonjë rast kërcënimi gjatë punës?

Po, kam pasur edhe raste të tilla. Njëri prej personave që më ka goditur kur unë isha në krye të detyrës u dënua me 2 vite përveç dënimit të parë që ai kishte.

Cila është thirrja juaj për ndihmë?

U kërkoj Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, ministrit të Drejtësisë dhe kushdo që ka në dorë të më ndihmojë. Dua të ndihmohem nga ana financiare të blej gjilpërën të kurohem. Institucioni i drejtësisë e ka detyrim ligjor dhe, përtej kësaj, duhet të tregohen me një zemër më të madhe për fatkeqësinë që ka një punonjës i tyre. Unë i paguaj shtetit 170 mijë lekë kontribut shëndetësor në muaj. Nuk po i kërkoj shtetit të më japë lekë për bukë apo të vij nga Vlora në Tiranë. Kërkoj vetëm të më sigurojnë gjilpërën, sepse po më rrezikohet jeta. Nëse më sigurojnë gjilpërën, jam i gatshëm që për ta bërë atë të vij nga Vlora edhe në këmbë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat