Del udhëzimi për provimet e maturës, çfarë duhet të keni kujdes!

Shqipëria

Del udhëzimi për provimet e maturës, çfarë duhet të keni kujdes!

Më: 23 mars 2017 Në ora: 09:41
Ilustrim

Duke filluar nga dita e shtunë, nis aplikimi për plotësimin e  formularit A1 për rreth 40 mijë maturantë. 

Do të jenë maturantët e Tiranës të cilët do të aplikojnë të parët. Nga data 25-27 mars aplikojnë të gjithë maturantët e Tiranës qytet, Tiranës qark dhe Durrësit. Më pas aplikimi vijon me maturantët në Elbasan, Fier, Berat, Shkodër, Kukës, Dibër dhe Shkodër.

Në datën 5 prill përfundojnë aplikimet për formularin A1. Ndërkohë nga data 6 deri në 10 prill do të aplikojnë maturantët e viteve të kaluara. Ministria e Arsimit u bën thirrje maturantëve që të aplikojnë brenda afatit. MAS thotë se nuk do të ketë shtyrje të afatit.

Ndërkohë provimi i parë i maturës do të jetë ai i Gjuhës së Huaj në datën 5 qershor, në 10 qershor Gjuha Shqipe dhe Letërsia, në 15 qershor Matematika dhe provimet e fundit do të jenë ato me zgjedhje në datën 24 qershor. Ministria e Arsimit thotë se procesi i testimit nuk do të ndikohet nga zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në 18 qershor.

Testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat, 13 pyetje do të jenë me alternativa dhe vlerësohen me 13 pikë, kurse 12 kërkesa do të jenë me zhvillim dhe vlerësohen me 37 pikë. Secili prej provimeve do të zgjasë 2 orë e 30 minuta.

Ndërsa testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat, 10 pyetje do të jenë me alternativa dhe vlerësohen me 10 pikë, kurse 20 pyetje janë me zhvillim dhe vlerësohen me 30 pikë. Koha që do të kenë maturantët në dispozicion për dy provimet me zgjedhje është 3 orë.

Sipas udhëzimit të Ministrisë të Arsimit, provimet e maturës në sezonin e vjeshtës nisin në orën 10:00, ndërkohë që kandidatët që kanë vetëm një provim me zgjedhje hyjnë në orën 11:00. Maturantët që japin provim vetëm në njërën nga lëndët me zgjedhje, e fillojnë provimin në orën 11:30 dhe e përfundojnë atë në orën 13:00. Maturantët që rezultojnë mbetës në provimet e maturës i rijapin ato në sesionin e dytë.

 Në periudhën 11-20 prill 2017, Komisioni shtetëror i maturës shtetërore dhe komisioni i maturës plotësojnë online bazën e të dhënave me fushat përkatëse, sipas udhëzimit të dërguar nga AKP-ja KSHMSH, deri më 21 prill 2017, një kopje të bazës së të dhënave, të shkarkuar nga portali i maturës shtetërore e afishon në shkollë dhe pret vërejtjet e maturantëve/kandidatëve për korrigjime të mundshme në bazën e të dhënave të regjistruara në portalin matura shtetërore, shkruan Shqiptarja.com.

Brenda datës 30 prill 2017, bën verifikimet dhe korrigjimet përkatëse në sistem. Plotësimi i formularit A1 për maturantët e këtij viti shkollor, bëhet në shkollat ku ata kryejnë arsimin e mesëm të lartë. Kandidatët nuk lejohen të rihapin provimet me zgjedhje, nëse në maturat e viteve të mëparshme rezultatet janë jo me të ulëta, se 4.50. Në rastet kur kandidati ka dhënë më shume se një herë një lëndë në provimet me zgjedhje, i njihet rezultati i fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat