Shkurti 'çmendi' çmimet në Shqipëri

Shqipëria

Shkurti 'çmendi' çmimet në Shqipëri

Më: 23 mars 2017 Në ora: 17:43
Ilustrim

INSTAT publikoi indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin shkurt, i cili ndryshe nga indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) mat ndryshimin e çmimeve për familjet shqiptare dhe të huajve në tregjet e pakicës. Ky indeks rezultoi 3.7 për Shqipërinë, niveli më i lartë në Europë sipas INSTAT.

Ky ndryshim, është ndikuar kryesisht nga rritja vjetore e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije alkoolike” me 8,1 %, pasuar nga grupet “Transport” me 3,3 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,2 %, “Argëtim dhe kulturë” me 2,9 %, etj.

Në muajin shkurt 2017, ndryshimi mujor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 1,0 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të frutave dhe zarzavateve.

Edhe në muajin shkurt Shqipëria rezultoi me rritjen më të lartë të çmimeve në Europë me 3.7 për qind teksa mesatarja europiane ishte 1.9 për qind.  Ritmet më të larta të rritjes i pati  Shqipëria, estonia, Belgjika, Letonia dhe Lituania. Ndërsa ritmet më të ulta të rritjes se çmimeve i patën Islanda, Irlanda, Rumania dhe Zvicra.

INSTAT shpjegon se në IÇK mbulohen vetëm shpenzimet e familjare private shqiptare të kryera brenda dhe jashtë territorit të vendit.

Ndërsa IHÇK mbulon të gjitha shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, përfshirë familjet private dhe institucionale, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë

IHÇK përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet europiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve të Europës dhe si inflacion zyrtar i Bankës Qendrore Europiane duke siguruar stabilitetin e çmimeve në Unionin Ekonomik dhe Monetar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat