KQZ vendos kundër kërkesës së Prokurorisë, nuk i hiqet mandati Peçit dhe Zotkajt

Shqipëria

KQZ vendos kundër kërkesës së Prokurorisë, nuk i hiqet mandati Peçit dhe Zotkajt

Më: 23 mars 2017 Në ora: 20:01
Adriatik Zotkaj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që asnjë nga 31 deputetët dhe 8 kryebashkiakët të cilët ishin dërguar së fundmi në KQZ për riverifikimin të formularit të dekriminalizimit, ti mos hiqet mandati.

Në mbledhjen e sotme, vendimi u mor vetëm nga 4 anëtarë të maxharancës në KQZ, ndërsa ata të opozitës u larguan para se të jepej verdikti për 21 subjektet politike.

Për dy nga kryebashkiakët, Tërmet Peçi dhe Adriatik Zotkaj, prokuroria kishte kërkuar heqjen e mandatit të kryebashkiakut, ndërkohë që KQZ ka vendosur ndryshe.

Mbledhja e KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është mbledhur prej orës 14:00, për të bërë riverifikimin e formularëve të vetëdeklarimit për 21 zyrtarë, 13 deputetë dhe 8 kryetarë bashkish. Pavarësisht diskutimeve për disa orë, 3 prej anëtarëve të propozuar nga opozita kanë lënë mbledhjen. Bëhet fjalë për Hysen Osmanajn, Klement Zgurin si dhe Vera Shtjefnin.

Në fjalën e tij Osmanaj theksoi se ishin përzierë krimet penale me gabimet e gjendjes civile. Më i ashpër ka qenë reagim i Shtjefnit, e cila tha se sot dekriminalizimi kishte marrë goditje të rëndë. Sakaq, Zguri theksoi se ky gjykim ishte politik, pasi KQZ kishte thirrur njerëz që nuk kishte arsye të ishin në ato lista.

Ndërkohë, kreu i KQZ-së, Denar Biba tha se fakti që janë bashkuar listat nuk do të thoshte se ishte e njëjta situatë. “Gabimet në formular, mund të humbësh mandatin. Nuk kanë plotësuar saktë formularin sipas prokurorisë. Për ne e kanë plotësuar saktë formularin. Mirë do ishte që formulari të hartohej ndryshe”, tha Biba.

Listat

Ndër emrat e listuar nga KQZ janë deputetët Sali Berisha, Arben Ristani, Eduard Halimi, Florian Mima, Myqerem Tafaj, Spartak Braho, Vangjel Dule, etj; të cilët kanë deklaruar të dhëna në formularin e dekriminalizimit, jashtë afateve të parashikuara në ligj. Krahas deputetëve të mësipërm në listë janë dhe 8 kryetarë bashkish: Artur Bardhi, Edmond Themelko, Ndrec Dedaj, Rajmonda Balilaj, Adel Lala, Zef Hila, si dhe dy kryebashkiakët Tërmet Peçi dhe Adriatik Zotkaj, për të cilët prokuroria ka kërkuar ndërprerjen e mandatit, pasi nuk kanë deklaruar dënime të marra më parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat